Rritet ekonomia, bie punësimi

21/09/2010 15:20

Që nga viti 2005, ekonomia është rritur mesatarisht me 5.6 për qind në vit, duke përfshirë edhe ngadalësimin që u regjistrua vitin e kaluar si pasojë e krizës globale.

Prodhimi i Brendshëm i ekonomisë është rritur, sipas Ministrisë së Financave, me mbi 27 për qind në terma realë gjatë këtyre 5 viteve. Sipas FMN-së, kjo ka qenë një nga rritjet më të larta ekonomike në rajon e udhëhequr kryesisht nga kërkesa e lartë e brendshme. Por, edhe pse prodhimi i brendshëm i ekonomisë është rritur, krahasuar me vitin 2005, me mbi 2.5 miliardë dollarë, të dhënat tregojnë se paradoksalisht numri i të punësuarve ka rënë.

Në vite normale, pa goditje krizash nga jashtë, ekonomia shqiptare krijon mesatarisht 1-3 mijë vende të reja pune. Përjashtim bën vetëm viti 2007, ku rritja e fortë e vendeve të punës, mund të shpjegohet edhe me disa masa shtrënguese të qeverisë për të ulur eveazionin në tregun e punës, ku më e debatuara ka qenë ajo e referencave që caktonte numrin e punonjësve në kompani.

Një dyshim ky që nxitet edhe më shumë nga fakti se vetëm një vit më vonë, në 2008-ën edhe pse Shqipëria shënoi një rritje rekord ekonomike, prej 7.8 për qind,  numri i të punësuarve ra paradoksalisht me 18 për qind.

Në finale, në 5 vjet Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë u rrit nga 9.18 miliardë dollarë në 11.7 miliardë. Ndërsa për të njëjtën periudhë numri i të punësuarve ra nga 931 mijë vetë në 899 mijë. Një tregues ky që mund të dëshmojë se jo të gjithë po përfitojnë nga rritja ekonomike.   

Top Channel