Pensionet e fshatit, të njëjta me të qytetit

21/09/2010 08:50

Të ardhurat nga pensioni do të jenë të njëjta, për përfituesit e qytetit dhe të fshatit. 

Aktualisht ka diferenca, por plani i Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale është për një barazim të të ardhurave.

“Rritja më e madhe edhe e diferencuar e pensioneve të fshatit bëhet në zbatim të strategjisë së zhvillimit të skemës së sigurimeve shoqërore, me qëllim barazimin e tyre me pensionet e qytetit në vitin 2012”, deklaroi dje ministri i Punës, Spiro Ksera.

Duke raportuar në Komisionin parlamentar të Çështjeve Sociale, Ksera bëri një paraqitje të situatës me pensionet dhe skemën që po aplikon qeveria.

Sipas tij, për vitin 2010 të ardhurat minimale të pensionisteve në qytet u rritën me 6%, ndërsa në fshat me 10%, krahasuar me një vit më parë, duke arritur që të ardhurat minimale të pensionisteve në qytet të shkojnë në 12840 lekë në muaj dhe në fshat 7870 lekë në muaj, duke realizuar një rritje rreth 54% të pensionisteve të qytetit dhe mbi 2.2 herë për pensionistet e fshatit, krahasuar me vitin 2005.

“Kjo rritje, në radhë të parë realizon rikuperimin total të efekteve gërryese të inflacionit, në masën e pensionit, jep një shtesë reale të pensionit të qytetit dhe realizon programin e qeverisë që pensionet e ulëta të rriten me ritme të larta, me qëllim që ato në harkun e 4 viteve të dyfishohen”, tha ministri.

Sipas tij, nga këto rritje përfituan 371 mijë pensionistë të qytetit dhe 150 mijë pensionistë të fshatit, duke përfshirë pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe ato familjare.

Top Channel