Mustafaj: Maxhoranca tentoi intimidimin e presidentit

21/09/2010 19:45

Ish deputeti demokrat, Besnik Mustafaj ka komentuar në edicionin informativ të Top Channel, fërkimet e maxhorancës me presidentin për emrat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. 

“Ka një tentativë për ta intimiduar kryetarin e shtetit por është edhe nje mënyrë për të ndikuar në përzgjedhjen e kandidatëve që mund të bëhej në një rrugë shumë normale, aq më tepër që kemi një president që vjen nga PD-ja. Parlamenti nuk është i detyruar të miratojë të gjithë emrat e presidentit. Në momentin që në ligj parashikohet që të votohet pa debat, atëherë nuk ka as argumentim”, shprehet Mustafaj. Në vijim ai shton se, në këto refuzime ka prapavijë politike. “Të gjithë ata që thonë të kundërtën duan të fshihen pas gishtit. Nëse duam të ndërtojmë një sistem transparent, gjërat duhen thënë me sinqeritet. Duhet që secili të respektojë prerogativat e veta kushtetuese dhe duhet të besojmë se nisen të gjithë nga qëllimi i mirë për përzgjedhjen e njerëzve më të ndershëm”, shon ish kryediplomati shqiptar. Mustafaj i dha një mesazh presidentit, duke theksuar se kreu i shtetit duhet të ndihet më shumë në jetën politike të vendit. “Presidenti duhet të ndihet më fortë në jetën politike të vendit. Si simbol i unitetit të kombit, ai duhet të ndihet më shumë. Ne presim që presidenti si personi i shprehjes së unitetit të popullit, duhet të jetë më prezent me mendimet dhe ndërhyrjet në jetën politike. Në këtë kuptim, Presidenti i Republikës ende nuk është aty ku ne qytetarët e Republikës e presim”, perfundoi ish ministri i Jashtem.

Top Channel