Ekspozita, reagon Ruli

21/09/2010 20:25

Ministri Ruli ka reaguar sërish përmes zëdhënëses së tij për akuzat e fundit të hedhura nga opozita lidhur me proçesin e shitjes së ish ekspozitës “Shqipëria sot”.

Sipas zotit Ruli, gjatë proçesit të privatizimit nuk ka patur ndonjë proçes gjyqësor.

“I bëjmë edhe njëhërë të qartë pinjollit të bashkisë, atë që e kemi sqaruar me mijëra herë dhe që ai nuk ka vesh ta dëgjojë. Përftuesit e vetëm nga ai proçes privatizimi janë pronarët e truallit të ish ekspozitës, të cilët e kanë privatizuar pjesën e ndodhur me pronën e tyre me 0 lekë dhe pjesën shtetërore me një çmim katër herë më të shtrenjtë nga ai çmim që bashkia juaj ka shitur në mënyrë të paligjshme tokën tek Tajvani, në qendër të kryeqytetit”, është shprehur zëdhënësja e ministrit Ruli, Iva Tiço.

“Proçese gjyqësore në truallin ku ka qenë ngritur ekzpozita Shqipëria sot, që nga momenti i fillimit të proçedurave të privatizimit dhe deri në fund të tyre nuk ka pasur. Të vetmet proçese që vlen të përmenden janë dy: njëri me paditës një pronar toke dhe të paditur Bashkinë e Tiranës, që i ka zënë pronën me rrugën e ndërtuar, ndërsa tjetri ku ish pronarët kërkojnë t’u jepet qeraja e pronës e cila u është mohuar për tetë vjet nga partia e Shalsit”, theksoi Tiço.

Top Channel