Berisha promovon HEC-et

21/09/2010 19:50
Kryeministri Berisha, i cili po merr pjesë në punimet e asamblesë Parlamentare të Kombeve të Bashkuara, u takua me kompani financiare dhe investuese të Ëall Street-it, bursës kryesore të Nju Jorkut. 

Kryeministri Berisha u bëri një ekspoze të ekonomisë shqiptare, lehtësitë që ofron Shqipëria për çeljen e një biznesi dhe mënyrën se si ekonomia shqiptare e përballoi krizën ekonomike botërore. Dy argumente të tjerë të kësaj ekspozeje ishin eurobondet, pra bonot e thesarit të emetuara nga qeveria shqiptare në euro dhe kontratat për hidrocentralet private.

“Këtë vit iu drejtuam euro-tregut. Deutche Bank dhe Morgan ishin optimiste lidhur me eurobondin shqiptar. Por, kjo nuk ishte koha e duhur për shkak të borxhit grek dhe kjo u pa edhe në ditën kur do të takonim investitorët në Londër, por në mëngjes borxhi grek shënoi pikën maksimale. Ne u tërhoqëm, po kështu edhe 8 qeveri të tjera. Tani do të rikthehemi. Ne nuk jemi vend që përdor euron, por ne jemi një ekonomi me përmasat e euros. Kjo pati efekte vitin e kaluar. Megjithatë, monedha jonë eci më mirë se të gjitha monedhat e tjera jashtë eurozonës”, është shprehur Berisha.

“Vendi im nuk është një vend i madh, është një vend i vogël në hartë, por me potenciale të mëdha në fushën e energjisë, një vend i bekuar plot me ujëra… Falë një ligji shumë të favorshëm ne ia dolëm që të hapim një garë shumë të mirë për ndërtimin e hidrocentraleve dhe kështu në dy vite qeveria shqiptare nënshkroi 220 kontrata për të ndërtuar 220 hidrocentrale. Një prej tyre do te jetë më i madhi në Evropë sepse do të ndërtohet nga kompania austriake EVN dhe ajo norvegjeze Statgraft, por gjithashtu ka nga e gjithë bota. Puna ka filluar për ndërtimin e 36 prej tyre”, shtoi ai.

Gjatë punimeve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara kryeministri Berisha do të mbajë një fjalë në samitin “Objektivat e sfidave të mijëvjeçarit”.

Top Channel