Greqi, kapet banda shqiptare e floririt

19/09/2010 16:10

Policia greke e qytetit të Rethimnos në ishullin e Kretës asgjesoi një bandë hajdutësh shqiptarë. (UPDATE)

Bëhet fjalë për tetë shtetas shqiptarë të cilët ishin bërë tmerri i dyqanëve të shitjes së floririt.

Vetëm në pesë muajt e fundit kjo bandë kishte vjedhur nën kërcënimin e armëve mbi 6 dyqane të tilla në dy qytetet e mëdha të Kretës, në Iraklio dhe Rethimno dhe vlera e bizhuterive prej ari që ata kanë marrë arrin në mbi 1.2 milion euro.

Emrat e tetë personave ende nuk publikohen për arsye hetimi, por bëhet e ditur se janë të gjithë të moshës nga 22 deri në 28 vjeç, ndërsa vetëm njëri prej tyre është i martuar. Të gjithë kanë vite që jetojnë në Kretë dhe nuk kanë dosje penale.
Policia greke po përpiqet tashmë të gjejë se ku kanë përfunduar sasitë e floririt të vjedhur, që siç vlerësohet ka përfunduar në Shqipëri.

Top Channel