Himarë, manifestim të dielën

18/09/2010 08:25

Dega e “Omonia”-s në Himarë ka marrë lejen nga policia e Vlorës për të zhvilluar një manifestim ditën e diel, në përkujtim të Aristotel Gumës, i cili ka 40-ditëshin e vdekjes së tij tragjike.

Në fakt leja është kërkuar nga një grup qytetarësh, por nga policia e Vlorës është dhënë paralajmërimi që të mos kalojnë cakun e tubimit dhe të mos e bllokojë rrugën. Të dielën në Himarë do të ketë forca policie që do të rrinë në gatishmëri për të parandaluar që situata të acarohet.

Disa ditë më parë, njoftimet e përkujtesës janë vendosur në kishën e Himarës Fshat dhe në Potam, duke plotësuar kështu ritualin e njohur në këto raste. Njoftimet janë bërë nga dega e “Omonia”-s për Himarën. Ajo që përbën interes publik në këtë rast është pjesëmarrja e aktorëve politikë në të, që mbi këtë ngjarje ende të pasqaruar nga drejtësia shqiptare kanë arritur të ndikojnë edhe në formulime të diplomacisë së shtetit fqinj, Greqisë.

Kështu, burime zyrtare nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kanë deklaruar dje se do ketë pjesëmarrje nga drejtues të këtij subjekti në ceremoninë e së dielës. Po kështu, burime nga organizata e minoritetit grek, “Omonia”, kanë bërë me dije se të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues të lartë të kishës ortodokse, e posaçërisht nga Gjirokastra. Përveç familjarëve dhe të afërmve që pritet të vijnë edhe nga Greqia, ceremonia për përkujtimin e Aristotel Gumës po fiton vetiu vlerën politike të një çështjeje simbolike që ka tendosur komunikimin mes Tiranës zyrtare dhe Athinës.

Top Channel