Haxhinasto “inauguron” postin me zv.ambasadoren e SHBA

18/09/2010 08:00

Ministri i ri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto e nisi dje ditën e tij të parë të punës me takime me ambasadorët e rëndësishëm të vendit tonë.

Kështu pas betimit në presidencë për postin e tij, Haxhinasto zhvilloi një takim kortezie me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës amerikane në Tiranë, Deborah Jones dhe më pas me ambasadoren e  Gjermanisë në Tiranë, Karola Muller-Holtkemper dhe zëvendës ambasadorin e Austrisë në Tiranë, Marin Kramer.

Gjatë takimin me Jones, Haxhinastos ju përcoll urimi për detyrën e re nga Uashingtoni zyrtar, duke vlerësuar tek ministri i ri potencialin profesional dhe eksperiencën e nevojshme, duke shprehur besimin se marrëdhëniet ekzistuese midis dy vendeve do të forcohen edhe më tej në të ardhmen. Po kështu zëvendës ambasadorja amerikane falenderoi për bashkëpunimin e ngushtë dhe të sinqertë që kanë patur me zv. Kryeministrin dhe ish Ministrin e  Punëve të Jashtëm, Ilir Meta, duke cilësuar veçanërisht kontributin e tij në rajon dhe për Kosovën.

Nga ana tjetër gjatë takimit të ministrit të ri me ambasadoren gjermane u theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis vendeve, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, dhe veçanërisht ai i liberalizimit të vizave, si dhe zhvillimet e fundit në rajon pas miratimit të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB për Kosovën. Nga ana e tij, Haxhinasto vlerësoi mbështetjen e spikatur të Gjermanisë dhe Austrisë për Shqipërinë në kuadrin dypalësh dhe për asistencën që këto vende kanë ofruar në vazhdimësi për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian në të gjitha dimensionet e tij.

Top Channel