Miratohet pr/ligji për investimet e huaja

17/09/2010 01:20

Pas debateve të ashpra dhe kundërshtimit të opozitës, mazhoranca miratoi me votat e saj ndryshimet në ligjin për investimet e huaja.

“Projektligji në fjalë ka një frymë të theksuar anti-kushtetuese dhe bie në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe shkel hapur barazinë para ligjit jo thjesht mbi raportin mes një investitori të huaj dhe një investitori shqiptar, por shkel barazinë edhe ndërmjet vetë investitorëve të huaj. Koncepti i interesit publik këtu është shkelu kokë e këmbë pasi në çdo rast pas proçesit gjyqësor nuk do të gëzosh dot të drejtën e pronësisë, nuk do ta gëzosh dot por shteti do të shpronësojë. Ju me këtë projekt cënoni parimin ‘check and balance’. Këtu ju thoni që s’do të ketë më vendim gjykatash të ndërmjetme, pra i hyni Kodit të Procedurës Civile, i hyni rregullimeve kushtetuese, po zëvëndësoni një gjyqësor të korruptuar, pa personalitet me një qeveri të korruptuar pa personalitet”, deklaroi deputeti socialist Saimir Tahiri.

“Ndryshimet në ligjin për investimet e huaja nuk bëhen në interes të një individi apo kompanie në mënyrë nominale. Parimi që ky ligj kërkon të zhvillojë është parimi i mbrojtjes së investimeve të huaja, i nxitjes së investimeve të huaja dhe i sigurisë. Me ndërhyrjen që ne parashikojmë të bëjmë me këtë ligj marrim masa për ta zgjidhur konfliktin juridiko-civil brenda sistemit gjyqësor shqiptar dhe në asnjë rast nuk parashikohet anashkalimi i sistemit gjyqësor shqiptar”, mbrojti projektligjin ministri, Bujar Nishani.

Ndryshimet për këtë ligj kanë ngjallur debate të forta mes maxhorancës dhe opozitës, gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare.  Deputetët e opozitës e kanë kundërshtuar këtë projektligj duke thënë se diskriminon biznesin vendas.

Konfederata e Industrisë dhe Dhoma e Tregëtisë gjithashtu kanë qënë kundër draftit të qeverisë, sipas tyre kjo masë mund të detyrojë biznesin vendas të investojë jashtë Shqipërisë.

Top Channel