Ligji i pronave, debate të forta PD-PS

17/09/2010 00:20

Gjatë diskutimit të dekreteve të Presidentit për ligjin e pronave, të cilin ai e ktheu për rishqyrtim si anti-kushtetues, kryeministri Berisha është përgjigjur edhe për akuzat që socialistët i kanë bërë procesit të privatizmit të truallit shtetëror tek ekspozita me çmim tre herë më të ulët se zonat përreth. (UPDATE)

Kryeministri Berisha ju pergjigj sulmeve me kundërakuza ndaj socialistëve për procese të mëparshme privatizimi si në rastin e truallit tek “Tajvani”.

“Ende shqiptarët nuk e dinë se pse nga shkurti në nëntor çmimet e trojeve publike me vendim të Këshillit të Ministrave rreth Ekspozitës, u 2 apo 3-fishuan ndërkohë që ekspozita “Shqipëria Sot” qendroi po aq. Por kjo histori nuk ka të mbaruar keni bërë një privatizim me bono thesari. fakte të reja do dalin në dritë”, tha deputeti Shalsi.

“Ju mendoni se do të bindni shqiptarët se toka e shitur me 80 euro në qendër të Tiranës karshi Dajtit, qenka shitur më mirë se sa toka e shitur me 400 euro tek ekspozita ‘Shqipëria Sot’?!”, u kundërpërgjigj kryeministri Berisha.

Opozita ka replikuar me kryeministrin përmes deputetit Erjon Braçe që e akuzoi atë për hipokrizi me pronarët, përsa kohë po kërkon të miratojë një ligj që sipas Gjykatës Kushtetuese dhe Presidentit të Republikës cënon të drejtën kushtetuese të kësaj shtrese të pronarëve mbi pronat dhe dhënen e tyre biznesmenëve pranë qeverisë.

“Imagjinoni zoti kryeministër që një fshatar nga Kukësi, i cili për shkak të mbytjes së hidrocentralit, përmbytjeve të tokave atje, me dekretin tuaj është vendosur në zonën e Porto Romanos. Mendoni zoti kryeministër që atë të drejtë që ju ia keni dhënë kur keni qënë President i Republikës t’ia marrë një qytetar tjetër, për më tepër jo shtetas i këtij vendi, i quajtur Damir Fazlliç. Pronat e tyre të fituara nga dekreti juaj nuk janë regjistruar ende dhe ata pretendojnë, ndërkohë që ky tjetri jo vetëm që ka përfituar, por pretendon edhe të zgjerohet, të zgjerohet pafund. Si ky atje ka edhe të tjerë”, replikoi deputeti Braçe.

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit për lidhje mes përfituesve të tokës tek Ekspozita dhe kreut të PS, Edi Rama, deputeti Taulant Balla sfidoi kryeministrin me dorëheqje nëse verifikohen akuzat e tij.

“Nëse Sali Berisha vërteton atë akuzë që bëri, unë po i them Sali Berishës që unë e lëshoj mandatin tim të deputetit për një akuzë të drejtpërdrejtë kundër kryetarit të Partisë Socialiste që thotë se përfituesit të tokës tek Ekspozita kanë lidhje. Por i them Sali Berishës, nëse vërtetohet që ti, yt bir, Ruli, Vokshi janë përfituesit e kthimit të tokës tek ish-Ekspozita bën mirë të shohësh ti mandatin tënd”, tha deputeti Balla.

Ndërkohë Ministri i Bujqësisë Genc Ruli, shënjester e akuzave të opozitës për privatizim evaziv dhe klientelist, i gjendur perballe akuzave te forta te opozites per here te pare ka pranuar se mund te jete gabuar, por pa dashje dhe jo per te favorizuar.

“Çfarëdo gabimi të ketë nuk është favorizim. Është gabim i hartës po nuk është gabim i vendimmarrësit. Referohuni ligjeve, referohuni VKM-ve kur doni të akuzoni dikë, përndryshe jeni thashethemxhinjë rruge dhe jo politikanë”, tha ministri Ruli.

Më parë mazhoranca kundërshtoi argumentat e Presidentit të Republikës për anti-kushtetueshmëri të ligjit, ndërsa kryeministri Berisha lëshoi edhe aludime ndaj Presidentit te Republikës për abuzime me marrjen e pronave. Opozita nga ana e saj, mbështeti argumentimin e kreut të shtetit duke kërkuar që ligji të ndryshohet dhe nëse miratohet si i tillë ai do të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel