“Pronat”, sërish në Kushtetuese

17/09/2010 19:50

Qeveria nuk mund të marrë kompetencat e gjykatës për pronat. Pas miratimit të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, shoqata e pronarëve “Pronësi me Drejtësi” ka shprehur kritika të ashpra ndaj qeverisë, pasi sipas saj, ky ligj i heq sistemit gjyqësor kompetencat e tij.

“Nuk mundet që pjesa e ekzekutivit të marrë prerogativat e gjyqësorit. Kjo është shumë e rrezikshme, edhe për pronarët edhe për demokracinë. Qëllimi ka qenë jo mbrojtja e interesave të pronarëve, por mbrojtja e interesave të qeverisë për të shmangur penalizimet nga gjykata e Strazburgut”, ka deklaruar Myrshit Vorpsi, anëtar i kryesisë së shoqatës.

Vorpsi deklaron se do t’i drejtohen gjykatës për pezullimin e këtij ligji. “Për këtë ne do t’i drejtohemi Kushtetueses, e cila duhet të marrë një vendim për këtë ligj”, ka theksuar Vorpsi.

Ditën e enjte Parlamenti ka miratuar ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, duke injoruar kështu edhe vendimin e presidentit Topi, i cili e kishte kthyer mbrapsht këtë draft duke e quajtur si anti-kushtetues.

Top Channel