Shalsi: Të hetojmë materialet zgjedhore

16/09/2010 22:30

Deputeti i Partisë Socialiste, Eduart Shalsi duke folur në Top Story deklaroi se socialistët kanë gati propozimin konkret, sipas tij për të dalë nga ngërçi politik që ka përfshirë prej më shumë se një viti Shqipërinë.

Zoti Shalsi tha se është e papranueshme djegia e fletëve të votimit pikërisht në këtë moment, kur palët janë në negociata e sipër për të ngritur komisionin hetimor duke nisur hetimin e materialeve zgjedhore, ndërsa për fletët të pritet mendimi i Komisionit të Venecias.

“Disa muaj me parë zëdhënsat dhe deputetët e Partisë Demokratike deklaronin e deklaronin se nuk ka çfare vendimi të marrë Gjykata Kushtetuese sepse e ka marrë njëherë një vendim, duke nxjerrë një letër të 2003-it. Ka nje dokument dorëzuar nga kryetari i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi më 28 korrik 2010 për ngritjen e komisionit hetimor. Sot është propozimi i cili nuk lejon djegien e kutive. Jemi dakort te hetojme materialet zgjedhore dhe t’i lëmë Komisionit të Venecias hetimin e fletëve të votimit. Propozimi ynë ka synim vetëm daljen nga ky qerthull vicioz. Nëse nuk pranohet ky propozim ne do t’i kthehemi një forme tjetër”, deklaroi Shalsi.

Në vijim të fjalës së tij deputeti socialist tha se nëse ky propozim hidhet poshtë nga mazhoranca, atëherë mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale vihet në rrezik.

“Nuk mund të ketë zgjedhje lokale nëse do t’i hidhet benzinë zjarrit, sikundër deklaroi kryetari i KQZ-së. Pikërisht në këtë moment ai gjen kurajon që të thotë se do të djegë fletët”, vijoi më tej deputeti socialist.

Mbi ligjin që parashikon djegien e fletëve të votimit komentoi edhe analisti Mustafa Nano. Për zotin Nano në këto rrethana, kur opozita ngre pretendime për manipulime zgjedhjesh ligji mund të anashkalohet me një konsensus politik.

Top Channel