Kuvend, dy votime për të rrëzuar Topin

16/09/2010 22:50

Rrëzohet në mënyrë të dyshimtë dekreti i Presidentit të Republikës për ligjin e pronave. Pas një seance të gjatë debatesh mes qeverisë dhe opozitës, kryetarja e Kuvendit hapi votimin mbi propozimin e komisionit të ligjeve, për rrëzimin e dekretit të Presidentit të Republikës për ligjin e pronave. (UPDATE)

Pas përfundimit të votimit të parë  zonja Topalli nuk deklaron rezultat votimi mbi dekretin e presidentit, por kalon në një tjetër votim.

Por çfarë ka ndodhur ndërkohë në Kuvend? Pasi opozita kishte braktisur sallën, kryetarja e Kuvendit vëren se nuk kishte votat e mjaftueshme për rrëzimin e dekretit dhe shmang deklarimin e rezultatit të votimit. Duket se dy deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri nuk kishin votuar pro rrëzimit të dekretit.

Janë pikërisht këta deputetë të cilët zonja Topalli i thërret në emër gjate votimit. Thuajse në të njejten kohë, zyra e shtypit e PDU shpërndan një njoftim, ku deklarohej se PDU ka votuar kundër rrëzimit të dekretit. Në këtë kohë kryeministri Berisha shfaqet i shqetësuar dhe duke folur në telefon.

Duket se pas këtyre telefonatave është siguruar numri i mjaftueshëm i votave dhe zonja Topalli shpall sërish votimin për rrëzimin e dekretit.

Top Channel