Berisha: Betejë për stabilizimin e pronës

16/09/2010 18:25

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se një numër i madh pushtetarësh kanë grabitur pronat e pronarëve, nërpërmjet korrupsionit dhe shpërdorimit të pushtetit.

Duke folur në Kuvend gjatë diskutimit të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, kreu i qeverisë i bëri thirrje opozitës të votojë projektligjin.

“Nuk është e rastit që bëhet një zhumë e madhe për këtë ligj. Një numër i madh pushtetarësh me ndihmën e pseudopronarëve kanë grabitur vëllezërit e tyre me falsifikime mostruoze dhe kanë lënë duarbosh pronarët e vërtetë”, është shprehur Berisha.

“Beteja për stabilizimin e pronës është beteja për stabilizimin e kapitalizmit në Shqipëri. Prandaj ligji nuk miratohet sepse janë të shumtë pushtetarët që përdorin pushtetin e tyre si grabitqarë të tokave dhe trojeve. Ky ligj do bëhet 100 herë, derisa e drejta të shkojë në vend”, theksoi kreu i qeverisë.

Ndërkohë deputeti i PS-së, Armando Subashi ka theksuar se ky ligj “i jep dorë qeverisë të grabisë të gjitha pronat në vend”.

Ai ka kujtuar se projektligji është kthyer nga presidenti dhe Gjykata Kushtetuese, por “kjo gjë nuk është marrë parasysh nga mazhoranca”.

Top Channel