Shërbimi i ri diplomatik i BE-së

15/09/2010 20:35

Ettore Sequi konfirmohet si ambasadori i ri i BE-së në Tiranë, duke zëvendësuar Helmuth Lohan, të cilit i ka përfunduar zyrtarisht mandati.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton zyrtarizoi emërimet e ambasadorëve të rinj të BE-së në të gjithë botën, përfshirë këtu Shqipërinë.

Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, shërbimi i ri diplomatik shndërron të ashtuquajturat delegacione të Komisionit Europian në delegacione të BE-së, duke përfaqësuar kështu jo vetëm ekzekutivin por të gjitha institucionet europiane.

“Patëm shumë fat për cilësinë e kandidatëve që u paraqitën. Sic ishte premtuar, ndaj vendeve anëtare, Parlamentit dhe qytetarëve europianë, unë besoj se kam emëruar njerëzit më të mirë për punën e duhur”, ka deklaruar shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton.

Përfaqësuesi i ri i Unionit në Tiranë është 54 vjec, ka lindur në Sardenjë të Italisë. Karriera e tij diplomatike daton prej vitit 1985 dhe ka përfaqësuar Italinë në Nju Jork pranë OKB-së, Kabul, Teheran dhe Shqipëri, ku gjatë periudhës 2000-2004 ka mbajtur pozicionin e numrit dy të ambasadës italiane në Tiranë. Së fundmi, në qershor 2009 ai u emërua si përfaqësues i posacëm i BE-së në Afganistan dhe Pakistan.

Top Channel