Rama: Transparenca ka të bëjë me qeverisjen

15/09/2010 18:30

Kryetari i PS, Edi Rama ka sulmuar pasditen e sotme qeverinë nga qyteti i Elbasanit, ku është takuar me përfaqësuesit e degës së partisë së tij.

Gjatë fjalimit të tij, Rama tha se përpjëkjet e opozitës për transparencë nuk synojnë marrjen e pushtetit, por goditjen e korrupsionit që sipas tij ka depërtuar thellë në qeveri.

“Përpjekja jonë për transparencë nuk ka të bëjë me letrat por me qeverisjen. Ne kërkojmë një qeverisje të hapur dhe transparente. Duhet ta shpëtojmë vendin nga makthi i korrupsionit”, ka pohuar Rama.

Lideri i opozitës ka theksuar se qeveria aktuale po grabit cdo gjë që i del përpara dhe mashtron me rritjen e papërfillshme të rrogave dhe pensioneve.

“Pensionistët e dinë se rritja e pensioneve solli edhe rritje cmimesh. Edhe numri i të papunëve në Shqipëri është rritur ndjeshëm. Mësuesit po ngelen pa punë, ndërsa pedagogëve po u ulet paga”, ka shtuar Rama.

Rama ka shpalosur idenë e rinisjes së protestave si rruga e vetme për ndryshim, si instrumenti që nëse jep produkt e bën më legjitim dhe e konsolidon idenë e një standardi që nuk duhet adoptuar më.

“Ne duhet të largojmë Sali Berishën duhet të kthehemi në rrugën e protestës për të ndërtuar një model të ri qeverisës, një model të ri zhvillimi drejtësie. Është e vetmja rrugë dhe në këtë rrugë ne do të ecim të vendosur, sepse ky është misioni, detyrimi ynë, është e vetmja gjë që mund të bëjë sot një qytetar shqiptar që ka vendosur të mos e lërë atdheun e tij”, u shpreh Rama

Top Channel