PS kundër ligjit për investimet e huaja

15/09/2010 15:30

Partia Socialiste i ka kërkuar sërish shumicës të tërhiqet nga miratimi i ligjit për mbrojtjen e investimeve të huaja , i cili sipas deputetit Damian Gjiknuri është antikushtetues dhe diskriminon biznesin vendas.(UPDATE)

Sipas Gjiknurit ky ligj sanksionon shpronesimin per interesa private dhe jo publike, pasi prona mund te shpronesohet në favor të investitorit te huaj e në të njëjtën kohë sipas tij ai i heq cdo mundësi ligjore shtetasit shqiptar per te mbrojtur pronen e tij perpara gjykates pasi ne cdo rast ajo i kalon biznesit te huaj.

“Ligji, i cili miratohet më shumicë të thjeshtë, ndërhyn në procedurat gjyqësore duke ndaluar gjykatën të përdorë mjetet e saj ligjore për një gjykim të drejtë, mjete këto që sanksionohen nga një ligj që kërkon shumicë të cilësuar.  Ligji sanksionon që edhe vendimi për dhënien e statusit special një investitori të huaj merret nga qeveria, jo për këdo dhe në mënyrë të fshehtë, duke ja lënë këtë në çmim të interesave subjektive. Ligji nuk gjen  asnjë model të ngjashëm për një shtet modern duke demonstruar qartë që politikat shtetërore  në këtë vend po i ngjajnë gjithnjë e më shumë një sulltanati se sa  një vendi që aspiron të behët pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Gjiknuri..  

Sipas socialisteve ky ligj po behet per t’i krijuar mundesi klienteve te kryeministrit per te grabitur toka ne rivieren e jugut, ne Gjirin e Lalzit ne Hamallaj e zona te tjera turistike.

”Ne i bëjmë thirrje mazhorancës të heqë dorë nga kjo iniciativë, në të kundër ka gjasa që ky ligj të nxisë konflikte të forta civile pasi pronarët dhe qytetarët shqiptar nuk mund të pranojnë të përdhunohen në të drejtat e tyre më elementare, dhe  do të bëhen barrikadë njerëzore ndaj çdo tentative për grabitjen e pronave nga shteti për t’ja kaluar klientëve të qeverisë të cilët kësaj radhe do të fshihen nën petkun e investitorit të huaj”, tha Gjiknuri.

Top Channel