Meta: Vijon komunikimi me Priftin, së shpejti takimi

15/09/2010 14:15

Ministri i Jashtëm në ikje, Ilir Meta përshëndeti sot raportin përfundimtar të Komisionit Evropian, që vlerëson se Shqipëria ka shënuar progres të mirë në permbushjen e 3 kushteve të mbetura për procesin e liberalizimit të vizave.

“Vendimi është shtysë për punën e mëtejshme”, tha Meta, duke shprehur besim që vetëm pak kohë e ndan Shqipërinë nga vendimi historik për lëvizjen e lirë të qytetarëve në zonën Shengen.

Në një konferencë për media, Meta pranoi se ka patur një komunikim shoqëror me ministrin tjetër në ikje Dritan Prifti, njëkohësisht deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Unë e kam inkurajuar që cdo material që ka të bëjë me kërcënimin ta cojë në prokurori dhe institucionet e ligjit. Në këtë vend nuk duhet kërcënuar asnjë ministër, deputet apo qytetar i thjeshtë”, tha Meta, duke konfirmuar ndër të tjera se do të takojë Priftin së shpejti.

Dritan Prifti ka publikuar gjatë ditës një letër që ia ka dërguar prokurores së përgjithshme Ina Rama, ku i kërkon që në hetimet për kërcënimet ndaj tij të përfshihet edhe sekretari i LSI-së, Spartak Braho.

Zoti Prifti mendon se konteksti i kërcënimeve ndaj tij mund të jetë politik, nisur nga disa deklarata edhe në media të Spartak Brahos kundër tij.

Top Channel