Ekspozita, reagojnë pronarët dhe Ruli

15/09/2010 19:55

Genta Dorëzi, një nga bashkëpronaret e truallit ku ndodhet objekti i ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”, pranoi nënshkrimin e një kontrate me kompaninë “Vizion Construction”.

Por kontrata, sipas saj, u prish vetëm një javë më pas.

“Zoti Shalsi, qëllimisht nuk përmendi që të shtrënguar nga kjo mungesë mirëkuptimi mes të gjithë pronarëve, në datë 20 mars 2008, kjo marrëveshje u shfuqizua përmes një akti noterial, gjë që solli edhe ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve ligjore mes kësaj kompanie dhe asaj pjese të pronarëve që kishin nënshkruar marrëveshjen. Si kjo marrëveshje janë prishur edhe shumë marrëveshje të tjera me kompani të tjera. Në dijeninë tonë, kjo prishje e marrëveshjes është bërë disa muaj para se të fillonin procedurat e privatizimit të ekspozitës “Shqipëria Sot” nga ministritë”, ka deklaruar Dorëzi.

Në një linjë ka qenë edhe avokati i zotit Tartari, Genc Gjokutaj, i cili deklaroi se do të padisë deputetin socialist për shpifje.

Pasdreke vonë, ministri Genc Ruli iu përgjigj akuzave të Partisë Socialiste, duke kundërakuzuar për privatizimet sipas tij korruptive të qeverisë socialiste të 7-8 viteve më parë, si për shembull frigoriferi, i privatizuar në vitin 2002.

““Hotel Tirana”, frigoriferi dhe sa i takon pastaj interesave klienteliste, le t’i bëjmë ca pyetje retorike gaztorit të Ramës, Eduart Shalsit. A e di ti zoti Shalsi se kush e ka privatizuar në kohën e socialistëve “Hotel Tiranën” për pesë milionë, kur kushtonte të paktën 20 milionë euro? Biznesmenë si Kokëdhima i Edi Ramës. A e di zoti Shalsi se kush e ka privatizuar në kohën e socialistëve frigoriferin e Durrësit, 2 milionë euro, me çmimin e një frigoriferi shtëpie, Kokëdhima i Edi Ramës. A e di zoti Shalsi se kush e ka blerë 1500 metër tokë shtetërore? Flasim për ish-Taivanin në qendër të Tiranës, ku z. Rama në shkelje të ligjit nr 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” ka shitur për qëllime biznesi privat 1500 metër katrorë tokë shtetërore me 100 euro metrin, në një kohë kur çmimi ishte plot 1500 euro metri dhe për më tepër shitja ndalohej me ligji? Blerësi është Beso i Edi Ramës, që e ka marrë këtë tokë rreth katër herë më lirë nga çmimi i tokës së Ekspozitës. A e di zoti Shalsi se kush i merr në Tiranë 70 përqind të lejeve të ndërtimit? Firma e Shkrelit të Ledi Shamkut të Ramës”, ka akuzuar Ruli.

Por socialistët nuk e lanë me kaq. Në mbrëmje deputeti Saimir Tahiri bëri këtë deklaratë:

“Që nga njohja e pronës në vitin 1994, atyre pronarëve të gjorë iu desh të prisnin me vite të tëra derisa të shfaqeshin magjistarët e oborrit të Saliut që do t’ja jepnin pronën për ta përdorur për interesat e tyre dhe për t’i shitur një pjesë të truallit publik, gjë e cila do të jetë pjesë e një tjetër investigimi që do të zbulojë blerësit e vërtetë. Ajo që sot shfaqet e qartë si drita e diellit për të gjithë shqiptarët, është se ky proces privatizimi për të ndihmuar gjasme pronarët, nuk do të kishte ndodhur kurrë sikur pas tij të mos ishin kasta e korruptuar e Saliut, Rulit, Vokshëve me sekserët e tyre Tartar dhe Selmanllar. Menduam se Ruli do t’i jepte përgjigje një pyetjeje që ia bëmë dje, e ia bëjmë edhe sot, a ke dhënë ndonjë tjetër koncesion për ndonjë familjar tjetër përveç Rajmonda Bulkut?”, ka deklaruar Tahiri.

Top Channel