Rama: Ndryshimet, dëshmi e llumit të korrupsionit

14/09/2010 13:55

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka deklaruar se ndryshimet e fundit në qeveri janë një tjetër dëshmi e “llumit” ku qeverisja aktuale, përmes vjedhjes së votave, ka futur vendin.

Në një deklaratë për shtyp, Rama ka theksuar se qeveria është kthyer nga një organ qeverisjeje për qytetarët, në një organizatë kriminale që grabit gjithcka për përfitime personale.

“Qeveria po e zhyt vendin në llumin e korrupsionit. Largimi i djeshëm i ministrit dhe deklarata e kryeministrit në një oborr shkolle ishin një tjetër dëshmi e shkatërrimit të kësaj qeverisjeje. Asnjë informacion zyrtar, asnjë sqarim për publikun. Qeveria është kthyer në një organizatë kriminale fitimprurëse, jo në interes të publikut, por në interes të oborrit qeveritar”, ka pohuar Rama.

Kreu i PS ka theksuar se subjekti politik i drejtuar prej tij, ashtu sikurse ka bërë në ditët e fundit, do të vazhdojë të provojë me fakte shkallën e lartë të korrupsionit që ka përfshirë qeverinë.

“Do vazhdojmë të provojmë me fakte këtë deformim të qeverisë, nga një proces administrimi të vendit në interes të publikut, në një proces në interes të pushtetit. Nëser do publikojmë një dokument që tregon se si makina e shtetit vihet në lëvizje nga sekserë që veprojnë në bazë të interesave qeveritare. Lëvizjet e djeshme janë një dëshmi se nuk qeveriset më për interesat e qytetarëve, por për ato të pushtetarëve”, ka nënvizuar Rama.

Lideri i opozitës ka nënvizuar se kjo situatë vjen si pasojë e grabitjes së votave që iu bë PS-së, e cila sipas tij do të luftojë deri në fund për largimin e kësaj qeverie.

“Zgjedhjet u vodhën që të gllabërohet qeveria dhe të grabitet Shqipëria. Transparenca e zgjedhjeve tremb këtë qeveri, pasi përmes saj bëhet publikimi i këtij procesi. Dje iku Prifti, por jo djalli. Shqipëria sot është më e kërcënuar se dje. Kjo qeveri duhet vetëm të largohet dhe ne do bëjmë cdo gjë për ta larguar”, ka shtuar Rama.

Top Channel