Prifti: Meta më ka bërë presion

14/09/2010 12:50

Një ditë pas shkarkimit, Dritan Prifti sulmon kreun e LSI-së Ilir Meta, ndonëse nuk e ka përmendur direkt me emër, duke aluduar se ka patur për shume kohë presione të mëdha prej tij.

Prifti sqaroi se do te vazhdoje te mbeshtese qeverine, ndersa la te hapur mundesine e largimit nga LSI-së.

Deputeti i LSI ka theksuar se në gjashtë muajt e fundit ai ka qenë nën presione të forta, të cilat sipas tij janë shoqëruar me kërcënime ndaj jetës.

“Kam punuar nën presione të forta, përfshirë këtu kërcënime për jetën dhe familjen, të cilat i kam denoncuar dhe pres reagimin e prokurorisë”, ka theksuar Prifti.

Ai ka hedhur poshtë akuzat e bëra së fundmi ndaj tij nga opozita, duke nënvizuar se nuk ka bërë asnjë shkelje të ligjit.

“Presionin e kam përballuar me sukses dhe nuk kam bërë asgjë që shkel ligjin. Opozita më ka sulmuar për një deklarim pasurie që unë e kam deklaruar vetë dhe për një pasuri që unë e zotëroja”, është shprehur Prifti.

Anëtari i LSI, mandati i të cilit ka një rëndësi jetike për koalicionin qeveritar, ka bërë të ditur gjithashtu se pas largimit nga qeveria, angazhimi i tij do të vijojë në Parlament.

Më tej Prifti ka bërë një përmbledhje të arritjeve që ka arritur qeveria gjatë punës së tij, në vecanti tek ekonomia, që sipas tij i ka rezistuar me sukses krizës financiare globale.

“Ekonomia i ka rezistuar krizës globale, duke ndikuar në rritjen e standartit të jetesës së shqiptarëve. Janë në proces 40 koncesione të reja, privatizimet me vlerë monetare janë dyfishuar krahasuar me një vit më parë. Kemi garantuar furnizimin pa asnjë defekt të energjisë. Siguruam financimin për linjën me Malin e Zi dhe Kosovën. Janë rritur eksportet, në vecanti ato minerale. Transparenca, konkurrenca dhe drejtësia në dhënien e mineraleve ka qenë më transparenti i viteve të fundit. Gjithashtu, ndërmarrjet publike të shtetit kanë dalë me fitim, ndërkohë që përdorimi i energjisë dhe naftës ka arritur rekorde të paarritura më parë”, ka shtuar Prifti.

Në pozitën e nënkryetarit të LSI-së, ai ka nënvizuar se së shpejti do të zhvillojë bisedime me kryetarin Ilir Meta, për të vendosur për të ardhmen.

Top Channel