Ish-Ekspozita, kontraditat e ministrit Ruli

14/09/2010 23:40

Në këtë dalje publike, ministri Ruli përmendi edhe Top Channel, konkretisht kontratën 20 vjeçare që televizioni ka me Ministrinë e Ekonomisë. Sipas ministrit, kjo kontratë as që duhej nënshkruar. Ministri renditi edhe arsyet se pse.

“E dhënë me kontratë vetëm 2 muaj para zgjedhjeve të 2005-ës, madje po ta shohim strikt logjikën e ligjit të dalë në vitin 2004 mbi kthimin dhe kompensimin e pronave, kontrata nuk duhej bërë sepse ish-pronarëve të truallit jo vetëm që iu ishte njohur prona, por e kishin edhe të hipotekuar pronën prej disa vitesh, madje shteti për vite me radhë duhet t’u kishte paguar qiranë pronarëve për godinën që ngrihej mbi truallin e tyre”, u shpreh Ruli.

Mirëpo vetë ministri Ruli në kohën kur Ministër i Ekonomisë ishte ai vetë, ka nënshkruar kontratën me Top Channel për një sipërfaqe shtesë prej 500 m2, me të njëjtat kushte financiare si kontrata e mëparshme. Së dyti letërkëmbimin zyrtar me ministrinë e zotit Ruli, siç është bërë publik mëse njëherë nga Top Channel, tregon se televizioni i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë informacion për privatizimin e ish-Ekspozitës që prej shtatorit të vitit 2008. Kërkesa është përsëritur në dhjetor 2008 dhe në 3 mars 2009.

Por kërkesat e Top Channel janë injoruar nga Ministria e Ekonomisë. Vetëm në mars të 2009, Top Channel lajmërohej për herë të parë se ministria kishte nisur procedurën e privatizimit fare pak muaj para se zoti Ruli të firmoste në ditën e fundit të mandatit si ministër përfundimin e privatizimit dhe të kërkonte zgjidhjen e kontratës.

Nga përgjigja e Ministrisë së Ekonomisë mësohet se proçesi i privatizimit ka filluar që në korrik 2008 si një nismë e qeverisë për të privatizuar objektet shtetërore dhe jo si një nismë për t’u kthyer pronën pronarëve siç pretendon tani zoti Ruli.

Ministri Ruli përmend një nen të kontratës me Top Channel për të ilustruar se me privatizimin e objektit kontrata mes ministrisë dhe televizionit merrte fund automatikisht.

“Megjithatë ministri i asaj kohe ka qënë tepër i kujdesshmë, dhe për mua ka vepruar drejt, që kontratën e lidhur me subjektin Top Channel e ka bërë me një kusht në nenin 9 të saj, qënë rastin më të parë të privatizimit kundrejt kërkesave të pronarëve të objektit ish-Ekspozita, kontrata prishej automatikisht”, citon zoti Ruli.

Por në fakt ky nen i kontratës së firmosur është bërë i pavlefshëm nga vendimi i Këshillit të Ministrave nr 430 i datës 24 dhjetor 2008, për dhënien me qira ose enfiteozë të pasurive shtetërore, i cili thotë shprehimisht:

Kontratat e qirasë ose të enfiteozës janë të vlefshme deri në përfundim të afatit të tyre. Kur ndërmarrja, shoqëria apo institucioni, që ka dhënë mjedise me qira ose enfiteozë, shitet para përfundimit të afatit të kontratës, në njoftimin për shitjen e tyre shënohen ekzistenca e kontratës së qirasë ose enfiteozës, si dhe vlera e investimit të kryer nga subjekti, që e ka marrë me qira ose enfiteozë. Blerësi është i detyruar të respektojë kushtet e kontratës deri në përfundim të afatit të saj“.

Dhe Top Channel është në proçes gjyqësor pikërisht për këtë gjë dhe jo se kundërshton kthimin e pronës te i zoti. Po ashtu, duke respektuar gjithmonë kontratën, Top Channel vijon të përmbushë rregullisht çdo muaj detyrimet financiare. Së fundi, në këtë dalje, zoti Ruli lëshon këtë deklaratë:

“Nga kërkesat e përsëritura të pronarit të subjektit Top Channel i është sqaruar zgjidhja e problemit që kishte ky kanal mediatik për të realizuar dhe për të siguruar ambiente për të zhvilluar aktivitetin e tij, mund të zgjidhej vetëm nëse ata hynin në një marrëveshje me pronarët për të siguruar në ndërtimin e ri hapësirën që u duhet për këtë qëllim”, deklaron Ruli.

Në fakt zoti Ruli nuk mund t’i imponojë Top Channel-it të bëjë biznes me askënd, aq më pak në një fushë të tillë si ndërtimi. Top Channel ka lindur dhe është zhvilluar si një biznes mediatik, ka hyrë për të bërë vetëm biznes televiziv dhe udhëhiqet vetëm nga motoja informim-edukim-argëtim.

Kjo ka qenë edhe kusht i kontratës së nënshkruar me zotin Ruli, kusht të cilit Top Channel i është përmbajtur deri në fund. Por zoti Ruli jo!

Top Channel