Fino komenton ndryshimet në qeveri

14/09/2010 08:15

Larje hesapesh, kështu e ka vlerësuar ish-kryeministri socialist, deputeti Bashkim Fino, lëvizjen e fundit në kabinetin qeverisës, ku duket se Ilir Meta ka zgjidhur çështjen “Prifti”.

“Është një lëvizje konjunkturale, që nuk vjen si pasojë e një analize të thelluar për sa i përket qeverisjes dhe çështjeve të korrupsionit, por që vjen si pasojë e problemeve të brendshme të një partie të koalicionit. Nëse do të kishte të bënte me analizën e vërtetë të qeverisjes, atëherë z.Berisha do duhet të kishte zëvendësuar gjysmën e kabinetit, për të cilën PS ka ngritur akuza të bazuara mbi fakte. Është pra një larje hesapesh që LSI bën me Dritan Priftin dhe kjo duket edhe te fjala e Berishës, që duke e cilësuar Priftin si një nga ministrat më të mirë, kontraston me atë se çfarë veprimi ndërmori LSI-ja”, tha Fino në një prononcim për gazetën “Shqip”.

Në një gjykim politik, ky vështrim i një përfaqësuesi të lartë të opozitës dëshmon se lëvizjet e fundit janë të izoluara si problematikë e qeverisë dhe nuk do të ndikojnë aspak në ripërkufizimin e aksioneve të PS-së.

Një votë kundër kabinetit të ri është bërë prezente nga ish-kryeministri socialist, që ka konfirmuar me këtë rast të gjithë problematikën Prifti-Meta të trajtuar gjerësisht në media.

Një krizë marrëdhëniesh që ka korrigjuar raportin e forcave në Lëvizjen Socialiste për Integrim, pa sjellë sipas Finos asnjë reflektim ndaj akuzave të ngritura nga opozita.

Top Channel