Ballë për ballë për 20%

14/09/2010 19:40

Pas deklaratës së dhënë nga biznesmeni Arjan Tartari, prokurorët kanë vendosur të rithërrasin edhe njëherë në organin e akuzës për t’i ballafaquar me njeri-tjetrin, Arjan Tartarin, Rrahman Selmanllarin dhe Dritan Avllajn.

Burime të sigurta të TCH, pohuan se në ditët në vijim prokurorët e çështjes do të ballafaqojnë tre biznesmenët bashkaksionerë në kompaninë “Vizion Construction”, për të patur një version sa më të qartë lidhur me akuzën për dhënien në formë rryshfeti të 20% të aksioneve të kompanisë së Dritan Avllajt.

Por burimet e prokurorisë pohojnë se përgjatë pothuajse pesë orëve në organin e akuzës, bashkëjetuesi i deputetes Vokshi, Arjan Tartari ka thënë se kanë pranuar Avllajn të jetë aksioner së bashku me të tjerët për arsye përfitimi, nisur nga njohjet e tij.

Por jo se ata ishin të detyruar për shkak se nuk siguronin dot leje ndërtimi në kryeqytet. Sipas prokurorisë, biznesmeni ka qenë tepër i kujdesshëm dhe nuk ka përmendur në asnjë vend cilësimin për dhënie rryshfeti megjithëse dy prokurorët Valentin Prenci dhe Ardian Braho kanë këmbëngulur me pyetjet e tyre.

Më herët Dritan Avllaj dhe Rrahman Selmanllari kanë thënë në prokurori se bashkimi i aksioneve të tyre ishte thjesht çështje biznesi, ndonëse pas kësaj Selmanllari jashtë ndërtesës së prokurorisë këmbëngul të ketë deklaruar se ka dhënë rryshfet.

Në mungesë të një komunikimi zyrtar se çfarë kanë pohuar në prokurori biznesmenët, çështja ka marrë nuanca të forta politike, ndërsa prokuroria duket se ka vendosur që t’i ulë të tre në një tryezë për të marrë edhe versionin e fundit të çështjes që ka pushtuar selitë e qeverisë dhe opozitës.

Top Channel