Vizat, KE: Kushtet u plotësuan

13/09/2010 22:45

Komisioni Europian ka përfunduar vlerësimin me shkrim të ekspertëve që vizituan Tiranën dhe Sarajevën gjatë muajit korrik për çështjen e liberalizimit të vizave. (UPDATE)

Sipas komisioneres Cecilia Malmstrom, ky dokument i është dërguar sot Parlamentit Europian dhe në të tregohet se të dy vendet kanë bërë progres të konsiderueshëm për përmbushjen e kritereve të mbetura siç u përmenden në pranverë.

Ajo u pyet enkas mbi këtë çështje, ndërsa raportonte në Komitetin për Çështjet e Brendshme, Lirisë dhe Drejtësisë për paketën e re mbi azilin që BE duhet ta zbatojë në 2012. Malmstrom përmendi nisjen e proçesit të lehtësimit të vizave me Ukrahinën, Gjeorgjinë, Moldavinë, Azerbajxhanin e vende të tjera me të cilat synohet në të ardhmen liberalizimi i plotë i vizave.

Për Shqipërinë dhe Bosnjën, Komisionerja tregoi se liberalizimi pritet të diskutohet me Këshillin e BE-së në fund të vjeshtës.

Megjithëse Malmstrom deklaroi gjatë pasdites se vlerësimet e ekspertëve me shkrim janë dorëzuar të hënën nga Komisioni, një gjë e tillë nuk konfirmohet nga sekretariati i PE-së dhe ai i Këshillit të BE-së. Të kontaktuar nga Top Channel, të dy palët sqaruan se ky dokument pritet të merret në dorëzim në 15 shtator.

Top Channel