PD rikthen sot shqyrtimin e ligjit të pronave në Kuvend

13/09/2010 08:10

Shtesat në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës rifut sërish në punë Kuvendin për të shqyrtuar dhe miratuar sërish të njëjtin ligj, i cili është rrëzuar nga Presidenti Topi si antikushtetues.

E djathta rikthen të pandryshuar në thelb draftin shtesë të projektligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës. Drafti këtë herë ka një relator të ri, por në thelb duket i njëjtë me atë që kishte përgatitur me urgjencë në muajin korrik, deputeti Enkelejd Alibeaj.

Deputetja Mesila Doda do të jetë relatorja e këtij drafti në Komisionin e Ligjeve. Ai do të diskutohet sot në Komisionin e Ligjeve dhe do të kalojë për një tjetër miratim në sallën e Kuvendit këtë të enjte.

Axhenda pezull e Kuvendit

Kuvendi rikthen ligjet që kërkojnë 84 vota, por ‘harron’ objektivat e saj të dikurshme. Njëra prej tyre është ngritja e komisionit të hetimit të masakrës së Tivarit për vitin 1945. Në muajin korrik u vendos që komisioni të fillojë nga puna menjëherë, por as në kalendarin trejavor dhe as në programin e punës së Parlamentit deri më 4 nëntor 2010, ngritja e këtij komisioni nuk është përfshirë. Komisioni është parashikuar të ketë në përbërje të tij 13 anëtarë, shtatë prej të cilëve do të jenë demokratë.

Kryetar është përcaktuar deputeti Fatos Beja, ndërsa zv.kryetari i është lënë në dorë socialistëve. Ndërkohë socialistët ende nuk kanë dërguar emrat për ngritjen e këtij komisioni, duke mos dhënë konsensusin. Deputetët e PD-së, të cilët do të jenë pjesë e këtij komisioni që do të hetojë shkakun e masakrës së Tivarit janë: Mesila Dioda, Viktor Gumi, Adriana Gjonaj, Gent Strazimiri, Fatos Hoxha dhe Gjergji Papa. Komisioni ka si qëllim hetimin për zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe përgjegjësive të individëve, ideatorëve, ekzekutuesve, ndihmësve dhe bashkëpunuesve për masakrën e Tivarit të ndodhur në fundmars – fillimprilli të vitit 1945.

Ishte parashikuar që të hetoheshin plotësisht ngjarjet që paraprinë masakrën e Tivarit dhe roli i individëve të përfshirë në secilën prej tyre. Të tjera çështje që do të jenë objekti i hetimit janë zbardhja e plotë e së vërtetës historike për masakrën e Tivarit të vitit 1945 dhe nxjerrja e përgjegjësive shtetërore dhe individuale e personave që me veprimet apo mosveprimet e tyre kontribuuan, lejuan dhe ndihmuan në kryerjen e saj. Po kështu, ishte synuar të bëhej hetimi i plotë i fakteve dhe dokumentacionit të qëndrimit të shtetit shqiptar në vitet 1945-1990 në lidhje me këtë masakër, i përpjekjeve për zbardhjen dhe/ose fshehjen e së vërtetës për të dhe roli i strukturave shtetërore dhe individëve të kohës në raport me të.

Top Channel