Kutitë, KQZ publikon pr/vendimin e hapjes

13/09/2010 19:50

Ashtu sic paralajmëroi përpara disa ditëve për Top Channel edhe Arben Ristani, kryetar i KQZ, me dekretimin e datës së zgjedhjeve administrata e KQZ-së po përgatitet për hapjen e kutive të votimit dhe të kutive të materialeve zgjedhore.

Në faqen e internetit të institucionit është njoftuar zyrtarisht një mbledhje për datën 17 shtator dhe bashkangjitur me njoftimin, janë edhe materialet e mbledhjes: projektvendimi, relacioni i bashkangjitur dhe buxheti që nevojitet për boshatisjen e kutive.

Nuk ka asnjë surprizë në relacionin e përgatitur nga drejtoria e logjistikës: argumentat e përdorur se kutitë duhen liruar dhe se për këtë duhen 7 muaj, apo se duhet parë se cilat materiale zgjedhore mund të përdoren edhe për zgjedhjet e ardhshme, janë argumente tashmë të njohur.

Intersante është përshkrimi me hollësi i procedurës dhe buxheti i parashikuar. Kështu, mendohet se duhen 20 punëtorë për të hapur rreth 10 mijë kuti, për gati 2 muaj.

Por, duke pasur parasysh edhe kohën që duhet për të djegur fletët e votimit, kontrata me këta punëtorë këshillohet të bëhet për 70 ditë.

Në zërat e buxhetit është parashikuar benzinë dhe naftë, sipas sasive të parashikuara në këtë proces pune në zgjedhjet e mëparshme.

Mbledhja e datës 17 pritet të ketë debat. Por nëse nuk dihet dita se kur do të hapen kutitë, të paktën sipas projektvendimit, kjo do të ndodhë me siguri më 2010.

Top Channel