PS: Ruli gënjeu për ish-ekspozitën

12/09/2010 16:45

Deputeti i Partisë Socialiste Eduard  Shalsi ka publikuar fakte mbi atë që vërtetojnë se trualli i ish-ekspozitës “Shqipëria sot”, jo vetëm që është shitur, por edhe me një çmim tre herë më pak se çmimi me të cilin është vlerësuar kjo zonë.

“Ndërkohë që ju rikujtojmë që këto ditë Genc Ruli, apo zëdhënësja e tij e keqpërdorur, kanë deklaruar se trualli nën-ish ekspozitën ‘Shqipëria Sot’, i është dhënë pronarëve me një çmim 0. Dje i kërkuam nga ish-ekspozita “Shqipëria Sot” ministrit Ruli të tregojë se çfarë ka ndodhur me 2900 metër katrorë truall publik tek ekspozita, duke i paraqitur edhe dokumentin e hipotekës që e vërtetonte një gjë të tillë. Përveç një reagimi të nervozuar të Sali Berishës, nuk u përgjigjën dhe në fakt nuk kishin sesi të përgjigjeshin, sepse ne sot do t’ju dëshmojmë nëpërmjet një kontrate shitje se trualli prej 2900 metër katrorë është i shitur”, tha depueti Shalsi.

Kontrata e shitjes së këtij trualli, sipas Shalsit, vërteton qartë aferat korruptive të bëra gjatë proçesit të privatizmit, nga Ministria e Ekonomisë që në atë kohë drejtohej nga ministri, Genc Ruli .

“Kjo është prova, ‘KONTRATË SHITJE E PASURISË SË PALUAJTSHME’, ish -ekspozita ‘Shqipëria Sot’, në datën 9 shtator 2009, para noterit paraqiten palët, qeveria e Sali Berishës. Ndërkohë që në një nen të këtij akti, tregohet sesi çmimi i shitjes së objektit ka edhe një element tjetër. Një pjesë e truallit prej 2984 metër katrorë, që bie jashtë pronës së ish-pronarëve, e theksoj, siç dëshmohet jashtë pronës së ish-pronarëve, krejt në kundërshtim me atë që deklaroi Genc Ruli disa ditë më parë dhe për më tepër me një çmim prej 127 milion e 193 mijë lekësh, që është pikërisht ai çmim, që ju kemi bërë me dije gjatë këtyre ditëve, 3 herë më i ulët sesa i zonave përreth. Ndërkohë që ju rikujtoj, 2 vendimet e Këshillit të Ministrave, që e lanë të palëvizur çmimin në truallin e ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”. Kjo është e vërteta e hidhur me të cilën kanë frikë të ballafaqohen Sali Berisha dhe Genc Ruli”, vijoi më tej deputeti socialist, Eduard Shalsi.

Kontrata e shitjes së objektit Qendra Kombëtare e Panaireve, ish-ekspozita “Shqipëria Sot”, është nënshkruar në date 9 shtator të vitit 2009 ndërmjet palëve Ministria e Financave, Qendra Kombëtare e Panaireve në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe blerësve të këtij objekti.

Deputeti i PS Shalsi deklaroi se në ditet në vijim do të bëjë publike të tjera fakte që dëshmojnë hapur aferat korruptive të qeverisë Berisha dhe kapjen e shtetit prej tij.

Top Channel