12 vjet nga 12 shtatori i ’98-ës

12/09/2010 16:10

Në orën 11 të paradites, si çdo vit që nga 12 shtatori i ‘98-ës, drejtuesit e lartë të Partisë Demokratike i kanë bërë homazhe Azem Hajdarit, studentit që udhëhoqi lëvizjen për rrëzimin e regjimit komunist dhe një ndër themeluesve të forcës së parë opozitare në vend.

Politkanët e djathtë, familjarët, si dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, kanë vënë kurora e lule në memorialin e Azem Hajdarit, duke shprehur bindjen se historia do të jetë e drejtë në përcaktimin e rolit të tij aktiv gjate 8 viteve të para të pluralizmit shqiptar.

“Pas 12 vjetësh, sa më shumë të largohemi nga ajo kohë, aq më shumë rritet, dimensioni e vepra e Azem Hajdarit, aq më shumë merr vlera angazhimi, qendresa dhe përkushtimi i tij, që në fund të fundit, i kushtoi jetën. Kanë qënë falangat e regjimit të vjetër komunist ato që zgjatën dorën dhe u hakmorën ndaj Azem Hajdarit për atë që ai bëri në ‘90-ën”, deklaroi deputeti i PD-së, Ridvan Bode.

Të njëjtën bindje ka shprehur edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ka vizituar, si çdo vit familjen e Azem Hajarit, duke vlerësuar e respektuar individualitetin e tij politik.

“Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë e vlerësojnë figurën e Azem Hajdarit, një njeri me një shpirt të lirë, një demokrat i lindur, një njeri shumë luajal në politikë me kolegët e tij, por edhe një njeri antikonformist, që do të thotë se zëri i tij ishte zëri i një demokrati të vërtete. Figura e tij, jam i bindur se me kalimin e viteve, gjithmonë do të vijë duke u ridimensionuar në kuptimin e zmadhimit real të figurës së tij”, tha presidenti Topi.

Pas 12 vjetësh, bashkëshortja e Azemit, Fatmira Hajdari, duke parë çështjen nga pozicioni i gjyqtares, beson se drejtësia shqiptare nuk ka vepruar drejt në gjykimin e dosjes “Hajdari”. Megjithatë zonja Hajdari thotë se familja e saj nuk ka ndërmend të hapë një proçes të ri.

“Unë sot jam gjyqtare dhe di të gjykoj shumë mirë në lidhje me çështjen e Azemit. Aty nuk janë marrë shumë prova dhe shumë fakte nuk janë qartësuar saktësisht. Edhe kolegët e mi kanë qënë të detyruar nga politika në atë kohë. Edhe sot, kur bëjmë diskutime në lidhje me çështjen e Azemit, edhe ata vetë, janë koshiente, se të shtyrë nga opinioni ndërkombëtar, të shtyrë nga politika e asaj kohe, në ato momente, kanë bërë një zgjidhje momentale. Çështja e Azemit nuk është zgjidhur. Koha do të zgjidhë gjithçka. Do t’ia lëmë kohës”, tha zonja Hajdari.

Top Channel