Londra: Kapërcimi i krizës, rruga për në BE

11/09/2010 08:15

Ndërkombëtarët kanë ndërmarrë një nismë të re për zgjidhjen e krizës politike shqiptare, pas impasit të negociatave ndërmjet PD-së dhe PS-në.

Kësaj radhe ka qenë një kancelari prestigjioze dhe aleate e shqiptarëve që ka nisur një seri takimesh me drejtuesit e shtetit dhe ata të politikës shqiptare.

Bëhet fjalë për Britaninë e Madhe, pasi ambasadorja e Madhërisë së saj, Mbretëreshës Elizabet, Fiona Mcllwham, ka zhvilluar një takim me kreun e shtetit shqiptar, Bamir Topi, ku është diskutuar për zgjidhjen e krizës politike.

Komunikata zyrtare e Presidencës e ka cilësuar një “takim pune” konsultimin mes diplomates së Londrës zyrtare dhe Presidentit Topi.

Në këtë njoftim theksohet se kreu i shtetit dhe përfaqësuesja diplomatike e Mbretërisë së Bashkuar, “një vendi tradicionalisht mik dhe aleat”, diskutuan rreth zhvillimeve më të fundit dhe situatës politike në vend, fuqizimit të mëtejshëm të institucioneve të pavarura kushtetuese, forcimit të gjyqësorit dhe të shtetit të së drejtës, si dhe përmbushjes së aspiratave integruese europiane të popullit shqiptar.

Ambasadorja Mcllwham, nga ana e saj, pasi e siguroi kreun e shtetit se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në të gjitha përpjekjet dhe sfidat e saj integruese, theksoi se “kapërcimi i krizës politike, dialogu dhe konsensusi politik do të jenë mjetet më të mira për të përmbushur standardet integruese në rrugëtimin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane”.

Top Channel