Kukan: Liberalizimi i vizave, brenda vitit

11/09/2010 08:40

Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, u shpreh dje se ka një vullnet pozitiv të Parlamentit Europian dhe komisionit për t’u mundësuar shqiptarëve qarkullimin e lirë brenda këtij viti.

Kjo deklaratë vjen nga përfaqësuesi i rëndësishëm i PE-së, pak ditë përpara se Parlamenti të votojë raportin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

“Po mendoj se është koha që kjo çështje të zgjidhet. Ne në Parlament po bëjmë çdo gjë që mundemi për t’i ndihmuar këto dy vende, Shqipërinë dhe Bosnjën. Sipas të dhënave të mia të fundit, procesi i liberalizmit të vizave për to është në rrugë të mbarë”, theksoi Kukan.

Sipas tij, është e rëndësishme që nga ana e përfaqësuesve të PE-së ka një vullnet për të miratuar liberalizimin.

Ndonëse përfaqësuesi i PE-së për Europën Juglindoren theksoi se liberalizimi pritej të ndodhte brenda këtij viti, Kukan nuk dha një datë të saktë se kur shqiptarët do të mund të udhëtojnë të lirë pa viza drejt vendeve të Bashkimit Europian.

“Ka vërtet vullnet të fortë politik në Parlamentin Europian, vullnet të cilin ne do ta përdorim në debatet në komision. Të japësh data konkrete mundet, por besoj se vendimi do të merret këtë vit”, theksoi Eduard Kukan në fjalën e tij.

Top Channel