Dibër, ndihma australiane

11/09/2010 19:55

Ambasadori australian për Shqipërinë, Xheremi Njuman i shoqëruar nga princi Leka kanë zhvilluar një vizitë në Dibër ku po zbatohen disa projekte në ndihmë të komunitetit.

Australia mbështet disa projekte humanitare të cilat synojnë të sjellin zhvillim në komunitetet e disa rajoneve të ndryshme të Shqipërisë.

Zoti Njuman ishte në fshatin Lishan të Dibrës ku është zbatuar projekti “Fuqizimi i shërbimeve të kujdesit dhe edukimit të fëmijërisë së hershme në verilindje të Shqipërisë”.

Zbatimi i këtij projekti u mundësua në partneritet me organizatën “Partnerë për Fëmijët” dhe me mbështetjen financiare të Ambasadës Australiane në kuadër të  programit të saj “Programi i Ndihmës së Drejtpërdrejtë”.

Ngritja dhe vënia në funksionim të qendrave “Oborri i Nënave dhe Fëmijëve” ndihmon në promovimin e shërbimeve të kujdesit, edukimit dhe zhvillimit të fëmijërisë së hershme në tre nga fshatrat më të varfëra dhe më të përjashtuara nga shërbime të tilla në verilindje të Shqipërisë, fshati Gjallicë në Kukës, fshati Lekbibaj në Tropojë dhe fshati Lishan në Dibër.

Gjithashtu përveç inagurimit të Qendrës “Oborri i nënës dhe i fëmijës” është inaguruar një ure që lidh dy fshatrat, ndërtimi i së cilës është financuar po nga Ambasada Australiane.

Top Channel