Bashkite e PS, akuza Berishës

11/09/2010 16:10

Shoqata për Autonominë Vendore, që grupon më shumë se 100 bashki e komuna të drejtuara nga opozita, ka reaguar edhe njëherë për atë që ajo e cilëson shkelje të autonomisë financiare nga qeveria qendrore.

Por këtë herë shoqata mbështetet në raportin e mbajtur në Vjenë përpara Këshillit të përhershëm të OSBE-së nga ambasadori Robert Bosch. Në raport në fakt thuhet se “ndryshimet e vitit 2009 në ligjin për taksat vendore bien ndesh me ligjin për organizimin dhe funksionimin e qeverisë vendore”, apo “bashkitë e drejtuara nga opozita janë më pak të favorizuara, sidomos për sa ka të bëjë me të ashtuquajturat grante konkurruese”. Shoqata për Autonomi Vendore konstaton se ky diskriminim i bashkive dhe komunave të drejtuara nga Partia Socialiste përfshishet edhe në ndryshimet e fundit të buxhetit të shtetit për vitin 2010.

Buxheti parashikon që 30% e parave që qeveria i jep pushtetit vendor, do të jepet në formën e grantit të kushtëzuar, që do të thotë pas paraqitjes nga cdo bashki e komunë, të projekteve specifike. Kjo sipas shoqatës, i hap rrugë vendimeve arbitrare të qeverisë:   
 
“Duam t’i kujtojmë zotit Berisha se ka rastin më të mirë për të reflektuar ndaj vërejtjeve të raportit të OSBE-së duke hequr dorë nga diskriminimi i bashkive dhe komunave socialiste përmes sistemit të granteve të kushtëzuara në procesin e hartimit të buxhetit për vitin 2011. Shoqata për Autonomi Vendore, e cila përfaqëson më shumë se 100 bashki dhe komuna të drejtuara nga opozita, i bën thirrje edhe një herë qeverisë Berisha që t’i lexojë me vëmendje raportet e organizmave ndërkombëtarë, por, mbi të gjitha, t’u vërë veshin shqetësimeve të qytetarëve dhe t’u japë fund sulmeve të paligjshme dhe tinzare ndaj qeverive vendore dhe shërbimeve për qytetarët që jetojnë në njësitë që ato administrojnë”, u shpreh Bledar Cuci, nga Shoqata e Autonomisë Vendore.

 

Top Channel