PS nis testimin e kandidaturave

10/09/2010 08:15

Socialistët kanë nisur projektimin në dy faza të strategjisë për zgjedhjet lokale dekretuar më 8 maj të vitit 2011.

Konkretisht selia rozë po punon edhe në letër, por edhe në terren për të materializuar atë që do të cilësohet si boshti i betejës elektorale për të fituar bashkitë dhe komunat e vendit.

Në ditët e fundit ka nisur dalja në terren e ekipeve që janë ndarë sipas hartës administrative.

Njerëzit e caktuar nga lidershipi po testojnë në të gjithë territorin kandidaturat e mundshme dhe impaktin që ata kanë në elektorat.

Ndërkohë, në fund të muajit do të mblidhet asambleja e Partisë Socialiste, e cila do të miratojë piketat e hartuara nga lidershipi.

Angazhimi politik i Partisë Socialiste për transparencën e 28 qershorit nis gradualisht të kalojë në plan paralel me përgatitjen e elektoratit për një angazhim aktiv.

Edhe pse ende i kuotuar si pikë prioritare e axhendës së saj, kërkesa për hetimin e zgjedhjeve të shkuara po rrëshqet drejt statusit të një prej kartave të veprimit opozitar që tanimë po u nënrenditet përherë e më shumë objektivave të ardhshme elektorale.

Burime nga PS-ja bëjnë të ditur se në takimet e ditëve të fundit të organizuara me përfaqësues të pushtetit vendor është përcjellë edhe mesazhi për nisjen e përgatitjeve për fushatën elektorale, sidomos në testimin e klimës politike dhe piketimin e kandidatëve.

Pa kaluar ende në një fazë vendimmarrëse, direktiva politike që u është përcjellë në rrugë informale edhe deputetëve socialistë, përfaqëson një hap konkret në ndryshimin e prioriteteve opozitare, të cilat që këtej e tutje edhe formalisht funksionalizohen me procesin elektoral të 8 majit.

Top Channel