PD mbledh Këshillin Kombëtar

10/09/2010 08:30

Partia Demokratike duket se procesin e saj për zgjedhjen e strukturave të brendshme do ta lidhë me punën për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Kështu, burime pranë PD-së bëjnë të ditur se mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike për zgjidhjen e kryesisë së re dhe sekretariatit të PD-së pritet të ndodhë rreth fundit të muajit tetor, kohë e cila përkon edhe me prezantimin që demokratët do t’i bëjnë kandidaturës së tyre për kryeqytetin.

Po kështu, procesi i përzgjedhjes së kryesisë së re do të bëhet pak para miratimit të të gjitha kandidaturave të demokratëve për bashkitë dhe komunat e vendit, emra të cilët më parë do të kalojnë për miratim në kryesinë e demokratëve.

Po kështu, kryesia e re e PD-së pritet të jetë shumë aktive edhe në fushatën zgjedhore për vendoret e ardhshme.

Në këtë strukturë të lartë të demokratëve do të krijohen grupe pune që do ta ndjekin dhe koordinojnë fushatën në zona të caktuara të vendit.

Nga ana tjetër, edhe sekretarët e rinj që do të zgjidhen mes radhëve të demokratëve pritet të kenë rolin e tyre të madh në këtë proces.

Burimet bëjnë të ditur se përveç posteve të sekretarëve aktualë, pritet që të zgjerohet numri i tyre edhe me një sekretar politik dhe elektoral.

PD e ka vonuar për vit zgjedhjen e kryesisë së saj të re dhe sekretariatit në lidhje me afatin katërvjeçar të përtëritjes që përcakton statuti për këto organe me rëndësi të veçantë.

Arsye për këtë vonesë ka qenë përfaqësimi i punës së drejtueseve kryesorë të PD-së në qeverisje, duke lënë partinë në hije.

Por në kushtet e një procesi me rëndësi të madhe siç janë zgjedhjet e pas tetë muajve, PD e ka të domosdoshme riaktivizimin e strukturave të partisë dhe zgjedhjen në to të njerëzve të provuar dhe të aftë për t’i bërë ballë kundërshtarit politik.

Gjatë zgjedhjeve të ardhshme lokale, PD nuk arriti ta fitojë kryeqytetin dhe një sërë qytetesh të tjera të rëndësishme në vend dhe logjikisht puna organizative për procesin e ardhshëm elektoral pritet të jetë më intensive.

Por burimet pranë PD-së bëjnë të ditur se puna për organizimin e strukturave bazë duke i përgatitur për procese zgjedhore nuk është ndërprerë në asnjë moment, por motorët e fushatës zgjedhore pritet të ndizen në fundin e këtij viti, kur zgjedhjet të jenë realisht në prag.

Top Channel