Konsumatorët preferojnë prodhimet e importit

10/09/2010 09:00

Stina e vjeshtës ka ardhur bashkë me rritjen e çmimeve në tregun e Fierit. Sipas konsumatorëve dhe vetë tregtarëve të vegjël, shtrenjtimi i produkteve vlerësohet në masën 20% më i lartë se muajt e verës.

Në këto kushte, konsumatorët u janë drejtuar prodhimeve të importit, duke lënë mënjanë prodhimin vendas.

Fermerët janë shprehur se kjo rritje është për shkak të mungesës së prodhimit vendas në treg dhe kërkesa e madhe ka sjellë rritjen e çmimeve që për ta është normale, por për konsumatorët është artificiale.

“Prodhimet janë po ato që ishin edhe muaj më parë, nuk ka asnjë ndryshim. Madje cilësisht mund të jetë dhe më i ulët, por çmimi ka shkuar në qiell. Ky është një marifet që e bëjnë fermerët dhe tregtarët njëkohësisht, të cilët grumbullojnë mallin gjatë muajve të mëparshëm, për ta shitur më shtrenjtë në këtë sezon”, thotë Herveheja, konsumatore.

Të ndodhur mes dilemës së cilësisë, produkteve “bio” dhe krizës financiare që ka prekur shqiptarët, konsumatorët preferojnë të kursejnë duke blerë produkte që nuk u dihet as origjina, e jo më të flitet për cilësinë.

Ndërkaq, fermerët shprehen se prodhimet e tyre janë reduktuar për shkak të periudhës (kohës) dhe se nuk janë ata që e orientojnë tregun.

“Tregu orientohet nga grosistët. Ne jemi vetëm peshq të vegjël që shesim prodhimet tona në bazë të çmimit të tregut në kohë reale. Unë shoh tregun dhe në bazë të atij çmimi që është komanduar më parë nga grosistët që hedhin shumicën e produkteve bujqësore, shes produktet e mia”, ka thënë Uran Hoxha, fermer nga fshati Frakull i Rrethit Fier.

Top Channel