Topi: Xhami e re, jo më falje rrugëve

09/09/2010 14:50

Për vizitë në selinë e Komunitetit Myslyman shqiptar, Presidenti i Republikës mbështeti hapur kërkesat disavjecare të këtij komuniteti për një xhami të re të madhe, afër qendrës së kryeqytetit.

“Unë nuk do të dëshiroja që vitet që vijnë të na bëjnë të shikojmë besimtarë, të cilët falen trotuareve apo rrugëve. Kështu që unë u bëj thirrje të gjithëve pa përjashtim, të kontribuojmë së bashku që edhe Komuniteti Mysliman këtu në Tiranë, në një qytet që rritet e rritet, të ketë edhe ai xhaminë e tij, institucionin e tij, që të ushtrojë, të predikojë, të falet brenda institucionit”, tha Topi.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e lidhi gëzimin e kësaj dite me një gëzim më të madh për shqiptarët: heqjen e pritshme të vizave nga vendet e Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe mendimin e favorshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës:

“Jam shumë e kënaqur që ky Bajram i Madh vjen në një stinë të madhe, në një stinë të madhe për shqiptarët e Shqipërisë, por në një stinë të madhe edhe për shqiptarët e Kosovës dhe për gjithë kombin tone. Ju uroj gjithë shqiptarëve, lumturi dhe mbarësi!

Kryeministri Sali Berisha mendon se këtë vit shqiptarët e festojnë Bajramin më të mëkëmbur, më optimistë dhe më të sigurt se kurrë në të ardhmen e tyre.

“Pra, ka shumë arsye, janë njëmijë e një arsye, për të falënderuar Zotin në këtë ditë, për të pasur besim të madh e të plotë dhe për të uruar që Bajramin tjetër ta festojmë edhe më të gëzuar, edhe më të lumtur, edhe më të mëkëmbur, edhe më mirë.”, tha Berisha.

Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetar i bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, pati një mendim të posacëm për shtresat më nevojtare të shoqërisë:

“Gëzuar dhe mbarësi për të gjithë në këtë ditë të bekuar. Në radhë të parë për të gjithë ata që janë në vështirësi për të gjithë ata që përjetojnë dhimbjet e varfërisë, e papunësisë, e pamundësive, që unë jam i bindur se me kurajo, me solidaritet, me vullnet të mirë dhe më ndihmën e Zotit do kapërcehen”, theksoi Rama.

Vizita u bënë edhe në selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Top Channel