Spahija: PS pas kryengritjeve të viteve ‘90

09/09/2010 22:05

Kryetari i Partisë Lidhja e Legalitetit, Ekrem Spahija, ka bërë përgjegjës lidershipin e vjetër të Partisë Socialiste për trazirat që përfshinë Shqipërinë pas vitit 1996.

Duke folur në një debat në emisionin “Top Story” në Top Channel, Spahija ka deklaruar se kryengritje e armatosur nuk ishte ajo e 14 shtatorit, pas vrasjes së Azem Hajdarit, por ajo e marsit të 97-ës, kur sipas tij PS shfrytëzoi rënien e strukturave piramidale për të ardhur në pushtet.

“14 shtatori nuk ishte kryengritje. 14 shtatori mund të merret i shkëputur nga të gjitha zhvillimet politike. Nga dhjetori i 96-ës, nga periudha e 97-ës e deri në 98-ën, ngritje e armatosur tipike ishte ajo e socialistëve që erdhën në pushtet në 97-ën. Ato përdorën pakënaqësinë e shqiptarëve dhe e shfrytëzuan për të marrë pushtetin me dhunë. Edhe studiuesi amerikan Bernd Fisher, në një shkrim të tij, e përcaktonte në mënyrë të saktë: në vitin 1997 u organizua një kryengritje e armatosur dhe u mor pushteti me dhunë”, ka deklaruar Spahija.

Sipas tij, ajo ishte një kryengritje e pastër për pushtet, pasi ish-kryetari i PS Fatos Nano premtoi në Vlorë kthimin e parave të humbura në skemat e fajdeve.

“Ato e rrëzuan pushtetin me dhunë dhe e quajtën pushtetin të marrë me mashtrim. Ish-kryetari i PS, i sapo dalë nga burgu, në Vlorë deklaroi që paratë do të kthehen 100%. E morën pushtetin, me Presidencë, me Parlament dhe me gjithcka dhe u desh një vit që shqiptarët të merrnin vesh se ishte dicka vetëm për pushtet dhe se premtimi ishte një mashtrim”, ka pohuar Spahija, i cili më pas ia ka lënë vendin cështjes së vrasjes së eksponentit më të rëndësishëm të PD, Azem Hajdarit.

“Nuk u bë një atentat ndaj Azem Hajdarit, u bënë tre. Një në Parlament, një në Milot dhe një në Tropojë. Më datë 12 shtator, që ishte ditë e shtunë, unë fillova konferencat nëpër rrethe. Atë ditë kam qenë në Has dhe më njoftojnë se atë ditë është vrarë Azem Hajdari”, ka treguar Spahija.

Sipas tij, protestat për këtë ngjarje kishin filluar që më datë 13 dhe përvec Hajdarit dhe dy truprojave të tij është vrarë edhe një eksponent i Ballit Kombëtar dhe sindikatave.

Më tej, shton ai, erdhi data 14 shtator, kur sheshi para Kryeministrisë u mbush pas një lajmi se qeveria Nano kishte dhënë dorëheqjen.

“Pastaj erdhi data 14 shtator. Në orën 11 ishte momenti që do lëviznin arkivolet. Në momentin që arkivoli ka marrë rrugën mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Brendshme kemi tentuar me zotin Berisha që drejtimi të devijohet drejt varrezave të Sharrës. Unë dhe zoti Berisha u kthyem tek selia e PD-së, ku dëgjuam të shtëna. Hipëm në makinën e Pjetër Arbnorit dhe u drejtuam për në sheshin para Kryeministrisë, që ishte i zbrazët. Dikush kishte hipur në tarracën e Kryeministrisë dhe qëllonte poshtë. Kur arkivoli u drejtua për në varreza u dëgjua një lajm në radio se qeveria ka dhënë dorëheqjen. Në këtë moment simpatizantët e PD ndjenë një gëzim dhe u mblodhën në shesh. Autoblindat dhe tanket vinin, vendoseshin para Kryeministrisë dhe drejtuesit e tyre iknin”, ka përfunduar rrëfimin e tij Spahija.

Top Channel