INSTAT: Bie konsumi

08/09/2010 19:55

Indeksi i shitjeve me pakicë, një tregues që tenton të masë ecurinë e konsumit në ekonomi, tregon se konsumatorët kanë vazhduar të ulin blerjet edhe në tremujorin e dytë të vitit.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave, volumi i tregtisë me pakicë në tremujorin e dytë të vitit ishte 2.5 për qind më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rënia sipas INSTAT, ka prekur gati të gjithë sektorët më kryesorë të ekonomisë. Shitjet e artikujve ushqimorë në bizneset e vogla kanë rënë në këtë tremujor me 24 për qind, ndërsa janë rritur në qendrat e mëdha tregtare, gjithmonë sipas INSTAT me 4.1 për qind.

Rënie ka edhe për produktet farmacetuike dhe ato kozmetike. Treguesi i shitjeve në këtë sektor u ul në tremujorin e dytë me rreth 6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT, konsumatorët kanë ulur shpenzimet edhe për veshjet, shitjet e të cilave ishin këtë tremujor 14 për qind më të ulëta se në tremujorin e dytë të vitit 2009.

Pak ditë më parë ministri i Financave, Ridvan Bode dha të tjera të dhëna mbi ecurinë e shitjeve në ekonomi. Duke iu referuar mbledhjes së tatimit mbi vlerën e shtuar, zoti Bode tha se qarkullimi i mallrave në ekonomi është rritur me mbi 10 për qind.

Top Channel