Specializimet, më shumë kuota për urgjencat

07/09/2010 08:00

Këtë vit, më shumë kuota për specializimet e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, do të akordohen për specialitetin e urgjencave.

Po ashtu, edhe në vitet në vazhdim, kësaj kategorie studentësh dhe këtij specialiteti do t’i jepet më shumë prioritet, edhe për shkak të reformës ku pritet të përfshihet sistemi i urgjencave. Ministria e Shëndetësisë, për implementimin e kësaj strategjie, ka punuar paraprakisht.

Si objektiv afatshkurtër është vënë trajnimi i personelit që aktualisht punon në këtë shërbim, ndërsa si objektiv afatgjatë është përfshirja në kurrikulat e Fakultetit të Mjekësisë. Kurrikula është përgatitur nga Fakulteti i Mjekësisë dhe pritet miratimi i Ministrisë së Arsimit, për të filluar specializimi për mjekun e urgjencës.

Sistemi i shërbimit të urgjencës mjekësore duhet të jetë plotësisht i integruar me të gjithë shërbimin shëndetësor dhe veçanërisht me shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor.
Reforma e sistemit të urgjencës kërkon të krijojë një paketë bazë të shërbimeve dhe asistencës mjekësore të urgjencës që do t’i jepet popullatës pa pagesë dhe sipas standardeve të aplikuara njësoj në të gjithë vendin; të krijojë mjetet për vendimmarrje të shpejtë dhe të saktë në diagnostikimin dhe trajtimin; të propozojë një njësi standard të Departamentit të Urgjencës i pajisur me mjetet përkatëse për të realizuar diagnostikim dhe terapi efektive.

Dje është prezantuar strategjia për reformën e sistemit të urgjencës mjekësore. Ky dokument është përgatitur në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Drejtori i Përgjithshëm i Politikave, në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, u shpreh: “Kjo strategji synon të sigurojë standard bashkëkohor të ofrimit të shërbimit të urgjencës për të gjithë pacientët e pranuar, duke skicuar aspektet kryesore të Shërbimit të Urgjencës Mjekësore dhe të ofrojë këshilla praktike për një reformë politike në këtë shërbim”. Sipas Piperos, konceptet e përpunuara dhe të paraqitura në këtë dokument sigurojnë një bazë mbi të cilën mund të planifikohen dhe vihen në praktikë alternativa të ndryshme.

Nëpërmjet kësaj strategjie kërkohet arritja e cilësisë më të lartë të shërbimit në kujdesin paraspitalor, trajtimin dhe transportin me ambulancë, si dhe në shërbimin e urgjencës spitalore. Po ashtu, një nga qëllimet e përgatitjes së kësaj strategjie është të sigurojë realizimin e vlerës më të mirë financiare për të rritur në këtë mënyrë maksimalisht burimet për kujdesin dhe shërbimin ndaj pacientit.

Në të janë përcaktuar: Organizimi i shërbimit të urgjencës si një i tëri. Moduli standard i Departamentit të Urgjencave me personel të trajnuar në mënyrë të posaçme dhe të pajisur me minimumin e mjeteve të nevojshme për një diagnozë dhe trajtim efektiv, i cili do të ndihmojë në zhvillimin e një programi të gjerë reforme të shërbimit të urgjencës mjekësore.

Strategjia sqaron në mënyrë të detajuar lidhur me mjetet dhe teknikat e standardizuara, bazuar në evidenca klinike, të cilat do të mbështesin ofruesit e shërbimit në dhënien e shërbimit shëndetësor më të përshtatshëm, sigurimin e standardeve të cilësisë, si dhe në harmonizimin e shërbimit në të gjithë vendin. Praktika bazuar në evidenca shkencore do të rrisë mundësinë e rezultateve të favorshme për pacientin.

Top Channel