Fier, buxheti vë në rrezik banesat sociale

07/09/2010 08:15

Të pastrehëve të Fierit, të cilët shpresonin për një banesë sociale, do t’u vonohet edhe më shumë marrja e saj.

Kjo si pasojë e mosaprovimit të buxhetit të Bashkisë së Fierit për vitin 2010. Edhe pse ecuria e ndërtimit të banesave sociale ka qenë e mirë, gjithçka ka mbetur pezull si pasojë e bllokimit të fondit të nevojshëm, që duhej lëvruar nga bashkia.

Pëllumb Hazizi, drejtor i projektit të banesave sociale për Bashkinë e Fierit në një konferencë për shtyp të dhënë paraditen e së hënës, shpjegoi se kërkesat e pafundme për një shtëpi nga familje në nevojë, janë duke u shtuar nga dita në ditë, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk do të marrë zgjidhje të shpejtë.

“Është buxheti i bashkisë për këtë vit, që ka shtuar edhe më shumë kohën e pritjes së dhjetëra familjeve të pastreha. Me të drejtë përfaqësues të këtyre familjeve mbetën duke protestuar dyerve të bashkisë, por problemi qëndron te mungesa e fondit të nevojshëm për vijimin e punimeve të pallateve që tashmë janë ndërtuar. Edhe pse këshilltarëve të koalicionit të djathtë iu bë apel për miratimin e buxhetit, sërish ata shtuan edhe një problem tjetër social me mosmiratimin në fjalë”, ka shpjeguar drejtori Pëllumb Hazizi.

Fondi për ndërtimin e këtyre banesave sociale është 322 milionë lekë, ndërkohë që 137 milionë i përket bashkisë.

Top Channel