Berisha: PS, kilometra larg pushtetit

07/09/2010 20:55

Inaugurimi i spitalit të ri të qytetit, e ka cuar kryeministrin Sali Berisha në Kavajë.

Njësoj si ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, me të cilin ka të përbashkët jo vetëm qeverisjen por edhe profesionin e mjekut, kryeministri e cilësoi këtë spital si një nga më modernët në vend dhe me teknologjinë më të përparuar.

Kreu i qeverisë tha se ndërtimi i spitalit me vlerë 1 miliardë lekë të reja, është një nga premtimet e realizuara falë performancës së mirë të qeverisjes dhe gjallërimit të ekonomisë së vendit.

“Ekonomi, e cila realizoi gushtin që kaloi rritjen me 20 përqind të të ardhurave të vendit. Ekonomi, e cila ka krijuar dhjetëra e dhjetëra vende pune në të katër anët e vendit, në sektorët madhorë të prodhimit. Ekonomi, e cila bëri të mundur rritjen më të madhe të pagave e pensioneve në Europë. Ekonomi, e cila bën të mundur financimin, asfaltimin, ndërtimin gjatë mandatit të dytë të 7 mijë kilometrave rrugë në mbarë vendit, rindërtimin e mbi 1 mijë shkollave dhe të qindra qendrave shëndetësore e spitaleve. Ekonomi, e cila bën të mundur të ndryshojë në mënyrë rrënjësore e thelbësore Shqipëria”, ka deklaruar Berisha.

Kryeministri tha se një nga realitet e reja që së shpejti do të prekin shqiptarët është liberalizimi i vizave, por sipas tij këto arritje të qeverisë dhe të shqiptareve po mohohen tërësisht nga opozita, e cila, sipas shefit të mazhorancës, ka zgjedhur rrugën e gabuar drejt pushtetit.

“Ata, të cilët duan të mohojnë arritjet tuaja, ata kanë urrejtje për to, sepse mendojnë se këto arritje i largojnë me kilometra nga pushteti. Por mos mendoni kurrë se duke mohuar çdo gjë do të mund t’i afroheni pushtetit. Përkundrazi, shokë apo zotërinj, pushteti do të shndërrohet për ju në një horizont që nuk do ta arrini kurrë”, ka shtuar Berisha.

Top Channel