Konsumatorët, kundër rritjes së dritave

06/09/2010 08:35

Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve (ZMK) reagoi dje para zyrave të ERE-s ndaj aplikimit të OSSH për rritje të çmimit të energjisë elektrike me 15%.

Avokati Altin Goxhaj u shpreh se kjo rritje është absurde po të kihet parasysh se, OSSH nuk ka plotësuar kushtet e performancës së kërkuar për reduktimin e humbjeve dhe rritjes e cilësisë së shërbimit dhe vetë produktit.

“Rritja e çmimit gjatë vitit të kaluar me 12% ishte e tepërt dhe nuk e justifikon një rritje të re dhe se prodhimi vendas i energjisë është në kulmin e eficiensës”, tha Goxhaj.

Sipas tij, aplikimi për rritje duhej të ishte bërë të paktën 6 muaj përpara datës së kërkuar, që do të thotë se duhej të ishte bërë para 1 korrikut.

Nga ana tjetër, thotë ZMK, ERE nuk ka asnjë arsye të rrisë çmimin e energjisë, sepse një vit më parë rritja u krye në shkelje të plotë të ligjit dhe ishte e tepërt dhe se misioni i Entit Rregullator e detyron atë “të mbrojë interesat e konsumatorëve nëpërmjet tarifave transparente dhe të bazuara në kosto” dhe “të sigurojë vazhdimësinë dhe cilësisë e furnizimit të energjisë për klientët fundorë”, ndaj dhe rritja e çmimit të energjisë në favor të OSSH-së do të shkelte pikërisht këtë mision të ERE-s.

Top Channel