“Albpetrol” s’ka para për të shlyer rrogat

06/09/2010 08:25

Duket se kriza ekonomike ka pllakosur kompaninë e naftës “Albpetrol”, e cila gjendet në vështirësi serioze likuiditeti.

Punonjësit e saj, si dhe një pjesë e administratës drejtuese, prej katër muajsh nuk kanë marrë pagat dhe kërkesat e vazhdueshme nuk gjejnë përgjigje të qartë.

Periudha më e afërt e pagesës së 4200 naftëtarëve të “Albpetrol”, të cilët nuk kanë marrë rrogën që nga muaji maj i këtij viti, do të jetë muaji dhjetor, duke e kthyer në situatë alarmante dhe tepër pesimiste për punonjësit që mbajnë familjet me bukë.

Gjendja kaotike mësohet nga gazeta “Shqip” përmes disa inxhinierëve që punojnë në sektorët vartës të departamenteve të drejtorisë së përgjithshme të “Albpetrol”.

Specialistët e lartë të sektorëve, ashtu si dhe vartësit e tyre, naftëtarët, nuk kanë marrë pagën prej katër muajsh.

Kompania aktualisht është në fazën e privatizimit, proces që pritet të mbyllet brenda vitit, për të cilën qeveria ka lidhur kontratë me një shoqëri amerikane për ta ndihmuar për gjetjen e një pronari sa më efecient.

Top Channel