Topi: Të arrihet konsensusi politik

05/09/2010 12:55

Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka bërë apel klasës politike në vend që të lërë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të shkojë drejt konsensusit, në dobi të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Kreu i shtetit në një mesazh për politikanët, me rastin e fillimit të punimeve në kuvend, ka deklaruar se ndjen keqardhje për sesionin e kaluar parlamentar.

“Ka qenë zhgënjyes”, është shprehur Topi në një dalje për mediat.

“Çdo mazhorancë duhet të dijë se nuk mund të kryejë reforma të rëndësishme pa konsensus. Roli në Kuvend nuk matet me shpejtësinë e miratimit të ligjeve, por edhe me mënyrën dhe cilësinë e miratimit të tyre”, tha Topi.

“Sot jemi më pranë BE-së sa asnjëherë tjetër. Ky çast do të kërkojë fillimin e një angazhimi të gjithanshëm dhe të një administrate të lirë larg presioneve partiake dhe shumë profesionale. Hapat drejt BE-së varen shumë nga reformat”, theksoi ai.

Duke folur për zgjedhjet e ardhshme lokale, Topi deklaroi se duhet të krijohet një mekanizëm që të sigurojë transparencën e votave të qytetarëve.

“Mbetem me shpresë se do të arrihet jo vetëm tejkalimi i debatit politik për zgjedhjet e 28 qershorit, por do të ketë konsensus edhe për përcaktimin e numrit të përfaqësuesve politikë në KQZ si dhe për gjetjen e atij mekanizmi magjik për numërimin e pakundërshtueshëm të votave. Kjo mund të prodhojë edhe ndryshime kushtetuese, por të tilla që t’i rezistojnë kohës”, shtoi Topi.

“Organizimi i zgjedhjeve të ardhshme lokale do të jetë dëshmia e maturisë politike përballë interesave kombëtare”, theksoi kreu i shtetit.

Top Channel