PS, akuza për deputeten Bulku

05/09/2010 16:00

Selia rozë ka vijuar serinë e denoncimeve me konçesionet e hidrocentraleve duke patur në fokus deputeten e PD-së, Rajmonda Bulku. 

Sipas dokumentave të paraqitura nga socialistët, bashkëshorti i saj njëherazi administrator dhe përfaqësues ligjor i firmës që ka përfituar konçesionin për ndërtimin e dy hidrocentraleve, Bënçë dhe Tepelenë është njëkohësisht edhe familjar i afërt me ministrin që ka firmosur këtë konçesion, Genc Ruli.

“Ajo çka të bën përshtypje në këtë aferë është fakti se pikërisht kur afati i përcaktuar për fillimin e investimeve për konçesionin në fjalë po shkonte drejt skadimit, hyn në lojë zoti Fatos Pashko, bashkëshort i deputetes Bulku dhe familjar i ministrit Ruli. Pikërisht në këtë moment, pra kur firma e përfaqësuar nga zoti Pashko bëhet pjesë e konçesionit, problemet e afateve zgjidhen si me magji”, deklaroi deputetja, Shegush Ligori.

Për socialistët tashmë panorama është e qartë, një skemë korruptive qeveritare e zbuluar si në rastet e deputetes në fjalë dhe në ato të kolegëve të saj, Majlinga Bregu dhe Albana Vokshi.

“Ndërkohë QKR vazhdon të luajë rolin e saj si ‘one-stop-shop’ i korrupsionit, duke fshehur nga publiku dokumentet e konçesionit dhe krijimit të konsorciumit që ka marrë hidrocentralet. Megjithatë nuk mbaron me kaq. Nesër Partia Socialiste do të bëjë publike një mega – aferë të re e cila do të tregojë përsëri lidhjet e ngushta mes interesave private të pushtetit dhe pasurimit të familjeve politike në kurriz të të gjithë shqiptarëve”, përfundoi deputetja socialiste.

Top Channel