Presidenti apel deputetëve

05/09/2010 15:10

Në situatën kur mazhoranca dhe opozita janë në prag të rinisjes zyrtare të një tjetër sezoni të ndezur politik me rimbledhjen e Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka bërë thirrje për konsensus mes palëve. (UPDATE)

Me një gjuhë të kujdesshme politike kreu i shtetit theksoi se mungesa e bashkëpunimit është ndjerë edhe në sallën e parlamentit, ku gjatë sesionit që u mbyll nuk është miratuar qoftë edhe një ligj që kërkon shumicë të cilësuar.

Por nga krahu tjetër për presidentin Topi, gjetja e gjuhës së përbashkët do të jetë një faktor kyç edhe në kryerjen e reformës zgjedhore, një fakt ky që rrjedhimisht do të garantonte edhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme lokale.

“Nuk është e rastit që gjatë një viti nuk kemi qoftë edhe një ligj të miratuar me votë të cilësuar. Në kuptimin substancial demokracia funksionale nënkupton nevojën e një konsensusi bazë për të ardhmen e një vendi demokratik. Çdo mazhorancë që vjen në pushtet duhet të dijë se nuk mund të kryejë reforma të rëndësishme pa një votë të gjerë që do të thotë konsensus. Roli i Kuvendit dhe kontributi i të zgjedhurve nuk matet vetëm me shpejtësinë e miratimit të ligjeve dhe me numrin e shumtë të tyre, por edhe me mënyrën e miratimit dhe me cilësinë e aftësinë e tyre për t’iu shërbyer lehtësisht qytetarëve dhe vendit, të ardhmes së përbashkët europiane”, deklaron presidenti Topi.

Duke hyrë deri diku në klimën e akuzave që shoqëron prej muajsh marrëdhënien mes shumicës dhe opozitës Presidenti i Republikës, Bamir Topi e sheh zgjidhjen tek zhveshja e deputetëve nga mbrojtja.

“Raporti midis përgjegjësisë, papërgjegjshmërisë dhe imunitetit të një të zgjedhuri është tregues i pagabueshëm i shkallës së pjekurisë së politikës shqiptare dhe demokracisë së saj. Zhveshja e të zgjedhurve nga imuniteti do të lehtësonte organet e prokurorisë dhe gjyqësorin për të vepruar ligjërisht dhe në kohë ndaj akuzave të përditshme për korrupsion, e do të provonte sinqeritetin e deklaratave politike mbi pavarësinë e institucioneve dhe presioneve politike mbi ato. Në Kuvend merr jetë fizionomia e harmonisë, balancës dhe respektit të pushteteve”, vazhdon më tej Topi.

Kreu i shtetit është ndalur edhe tek pavaresia e institucioneve te drejtësisë si një pikë kyçe në garantimin e një shteti të së drejtës. Në mesazhin drejtuar deputetëve me rastin e sesionit të ri presidenti la të kuptohet qartë se ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror nuk duhet kurrësesi të miratohet pa marrë më parë konsensusin e NATO-s, si një kusht i domosdoshëm dhe i padiskutueshëm për t’u respektuar që pas hyrjes në aleancë.

Top Channel