Nesër, dita e parë e shkollës

05/09/2010 15:45

42 mijë nxënës do të ulen ditën e hënë për herë të parë në bankat e shkollës.

Kreu i arsimit është shprehur se këtë vit shkollor, 90 përqind e nxënësve nga arsimi bazë kanë kaluar në gjimnaze.

“Arsim cilësor për të gjithë. Kjo është motoja e vitit të ri shkollor. Ne çojmë në sistemin tonë arsimor rreth 300-350 laboratore të reja në lëndët e kimisë, biologjisë dhe fizikës në shkollat e arsimit të mesëm dhe të arsimit 9 vjeçar”, deklaroi Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj.

Ministri i Arsimit ka sqaruar se këtë vit nuk do të ketë më mësues me kontratë të përkohshme, për të plotësuar kërkesat në shkolla. Mesohet se gjatë vitit të shkuar akademik numëroheshin rreth 700 mësues me kontratë të përkohshme, një pjesë e së cilëve këtë vit nuk do të jenë më pjesë e arsimit.

“Mësuesit me kontratë të përkohëshme mund të shkurtohen, por kanë qënë të lajmëruar që në 1 janar të vitit 2010. Nuk bëhet fjalë për mësuesit definitivë, ashtu sikurse një pjesë e mësuesve me kontratë janë për mësues definitivë në përputhje me vendet e reja të punës që janë krijuar. Klasa nuk do ndahet me 30 nxënës, por në rast se arrin në 31 nxënës ndahet. Ne qëndrojmë tek objektivi 30-32 nxënës”, tha më tej zoti Tafaj.

Ministria Tafaj ka garantuar se të gjithë nxënësve që përfshihen në grupet e përfituesve, do t’u rimbursohen paratë që kanë harxhuar për blerjen e librave.

Top Channel