Ndërkombëtarët interesohen për dosjet e PS-së

04/09/2010 08:25

Ndërkombëtarët interesohen për dosjet që opozita ka publikuar ditët e fundit, ku akuzohen për korrupsion eksponentë të lartë të mazhorancës.

Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se ditët e fundit ka pasur kontakte të vazhdueshme të politikanëve të Partisë Socialiste me diplomatë të njohur dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, të cilët kanë kërkuar informacion të hollësishëm për akuzat që janë publikuar ndaj disa anëtarëve të kabinetit “Berisha”, por edhe deputetë të mazhorancës.

Siç mësohet, drejtuesit e Partisë Socialiste kanë bërë të ditur se këto akuza synojnë vetëm transparencën e përdorimit të fondeve publike.

Mësohet se është bërë e ditur që gjithçka është anonçuar dhe pritet të dalë në publik në ditët e ardhshme, nuk janë sulme individuale, por fakte të bazuara në dokumente.

Takimet me diplomatët perëndimorë të akredituar në Tiranë nuk janë bërë publike, por mësohet se ata u përkasin shteteve të rëndësishme, të cilat janë edhe aleatet më të mëdha të vendit tonë.

Ndërkaq, dosja voluminoze “antikorrupsion” e Partisë Socialiste ka udhëtuar edhe në Parlamentin Europian, konkretisht në grupin socialist, ku PSSH është partnere si pjesë e Partisë Socialiste Europiane.

Top Channel