Gërdeci, hyn në fuqi dëmshpërblimi i familjeve

04/09/2010 08:50

Familjet e prekura nga shpërthimi i fabrikës së municioneve në fshatin Gërdec, në mars 2008, po njihen aktualisht me vendimin e qeverisë për masën e dëmshpërblimit financiar.

Në këtë mënyrë, dy vjet e gjysmë nga tragjedia, qeveria pranon të publikojë në Fletoren Zyrtare vendimet për kompensimin financiar të familjeve të prekura, duke i dhënë aktin final të hyrjes në fuqi, me një vit vonesë.

Bëhet fjalë për vendime të marra në gushtin e vitit të kaluar për masa kompensimi për banesat e prishura dhe dëmet e shkaktuara në kulturat bujqësore dhe në blegtori.

Edhe në këtë pikë, vendimet e gushtit 2009 konsiderohen të vonuara, duke pasur parasysh se ngjarja ndodhi më 15 mars 2008.

Vetë familjet nuk janë njohur me vendimet e qeverisë dhe fakti se ato po publikohen zyrtarisht në Fletoren Zyrtare të shtetit, do të thotë se nuk kanë asnjë mundësi ankese në rast se masa e dëmshpërblimit nuk konsiderohet e padrejtë.

Sipas avokatit të familjeve të prekura nga tragjedia, ku vdiqën 26 vetë dhe u plagosën mbi 300 persona, Andi Kananaj, veprimi i qeverisë bëhet në kushte të plota të mungesës së transparencës dhe një papërgjegjshmëri e lartë.

Referuar vendimeve të marra më 26 gusht 2009, por që publikohen në gusht të 2010-s (numri i botimit 67, ekstra) bën fjalë për pagesën e qirasë në shumën 25 mijë lekë në muaj për ato familje që mbetën pa shtëpi nga shpërthimi i fabrikës.

Kategoria e përfituesve të kësaj shume duhet t’i ketë banesat brenda rrezes 300 metra nga fabrika, është një nga kushtet e vendosura në vendim.

Top Channel